TIRANË, 12 tetor /ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor dhe Fakulteti i Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit, për zhvillimin e programeve dhe praktikave profesionale për studentët, pranë DPSHTRR-së
Marrëveshja u nënshkrua nga kreu i DPSHTRR-së, Blendi Gonxhja dhe dekani i Fakultetit Ekonomik, Dhori Kule.
Gonxhja u shpreh se, ky hap do t’iu mundësojë studentëve të njihen më afër me tregun e punës dhe shërbimet që ofron ky ent publik.
“Programet dhe praktikat profesionale për studentët e Fakultetit Ekonomik, pranë DPSHTRR-së, janë një domosdoshmëri për të rinjtë në drejtim të kualifikimit të tyre, në fushat e menaxhimit, komunikimit dhe marketingut digjital për përmirësimin e shërbimeve me qytetarët e shumë projekte të reja të Automotorizimit, mundësi trajnimesh e anketimesh mbi shërbimin”, tha Gonxhja.
Kreu i DPSHTRR-së, Blendi Gonxhja, vuri në dukje se, “studentët që kanë aplikuar në strukturat tona e dinë tanimë që DPSHTRR i pret krahëhapur për të realizuar praktikat mësimore apo dhe për t’u bërë pjesë aktive e stafit të Shërbimeve të Transportit Rrugor”.
/r.e/






















