TIRANË, 11 tetor /ATSH/ Policia e Elbasanit njofton finalizimin e një operacioni policor kundër basteve të paligjshme. Mësohet se nga operacioni “Dice” u arrestuan 2 persona dhe u proceduan 13 të tjerë.
“Në vijim të kontrolleve në terren, për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive së paligjshme, shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, për një rast të organizimit të lojërave të fatit, në një lokal, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Dice””, njofton Policia.
“Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit: A. M., 63 vjeç, banues në Elbasan dhe P. L., 61 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundershtim me ligjin”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Këta shtetas kishin përshtatur lokalin e marrë me qira nga 63-vjeçari, për organizimin e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit”, sqaron Policia.
Nga verifikimet ka rezultuar se këta shtetas fshihnin të ardhurat e përfituara nga ky subjekt. Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit: B. A., E. L., Xh. B., V. R., M. S., E. G., A. B., H. M., G. I., A. P., Xh. J., E. T. dhe I. D., për veprën penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, pasi u kapën në ambientet e lokalit, duke luajtur lojëra fati”, përfundon njoftimi.
Shërbimet e Policisë sekuestruan në cilësinë e provës materiale 140 000 lekë të rinj, 580 euro, 50 dollarë, 20 franga, një tavolinë dhe zara për lojëra fati, si edhe 2 celularë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
/r.e/























