TIRANË, 10 Tetor/ATSH/ Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri ka uruar vendin tonë për zgjedhjen në Këshillin e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut.
Në mesazhin e publikuar nga Ambasada e SHBA në vendin tonë theksohet se kjo një mundësi tjetër për Shqipërinë për të ngritur zërin për më të cënueshmit në mbarë botën.
“Urime Shqipërisë për zgjedhjen në Këshillin e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut! Shqipëria ka qenë një zë parimor në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe zgjedhja e saj në Këshillin e të Drejtave të Njeriut është një mundësi tjetër për të ngritur zërin për më të cenueshmit në mbarë botën. Ne jemi krenarë që qëndrojmë krah Shqipërisë në çuarjen përpara të dinjitetit njerëzor dhe drejtësisë në mbarë botën”, shkruan Ambasada e SHBA në vendin tonë.
Pas votimit me 123 vota pro në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, sot pasdite, vendi ynë u zgjodh anëtar i Këshillit të të Drejtave të Njeriut për periudhën 2024-2026. Lajmi është bërë publik nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani
Shqipëria zgjidhet për herë të dytë anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së
/r.e/






















