TIRANË, 7 tetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ishte sot në Probat të bashkisë Dimal, ku vizitoi sipërmarrësin Miri Hoxha.
Basha u njoh me problematikat e biznesit dhe nevojën që ka për mbështetje.
Sipas Bashës, lufta kundër monopoleve dhe korrupsionit do të çlirojë energji të jashtëzakonshme për ekonominë dhe do t’i japë biznesit frymëmarrjen e nevojshme.
“Kënaqësi të takoja e bisedoja sipërmarrësin Miri Hoxha dhe punonjësit e biznesit të tij në Probat. Folëm për situatën ekonomike dhe gjendjen e vështirë me të cilën po përballet shumica e familjeve të kësaj zone”, u shpreh Basha.
“Ne jemi në krah të çdo sipërmarrësi të ndershëm, dhe në bashkëpunim me ta do të hartojmë programin e Partisë Demokratike, si alternativën e duhur në mbështetje të biznesit, duke krijuar kushtet e nevojshme për zgjerimin e sipërmarrjeve shqiptare dhe afrimin e investitorëve të huaj”, theksoi ai.
Basha nënvizoi se, “lufta kundër monopoleve dhe korrupsionit do të çlirojë energji të jashtëzakonshme për ekonominë dhe do t’i japë biznesit frymëmarrjen e nevojshme. Në këtë mënyrë biznesit i jepet mundësia të investojë, të rrisë pagat, të shtojë numrin e të punësuarve dhe të rrisë prodhimin”.
“Ne do jemi çdo ditë pranë qytetarëve dhe sipërmarrësve, për të ndërtuar sëbashku një të ardhme më të mire për gjithë shqiptarët”, shkroi Basha në rrjetet sociale.






















