TIRANË, 29 shtator /ATSH/ – Më 3 tetor mbushen 10 vjet nga tragjedia e Lampedusës, kur deti Mesdhe u quajt varreza më e mëdha në botë, dhe ja ku jemi sërish në të njëjtën situatë, ndërsa mijëra migrantë kanë mbërritur javët e fundit në ishullin italian, tha presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola në një intervistë për EuropeanNewsRoom, ku ATSH është anëtare me të drejta të plota.
Metsola tha se shpreson për një progres të shpejtë në diskutimet midis vendeve anëtare për reformën e politikës së migracionit të BE-së, duke shtuar se duhet bërë çdo përpjekje për të arritur një marrëveshje.
Një nga pikat kyçe të paktit për migracionin dhe azilin e paraqitur nga Komisioni Evropian në shtator 2020, u bllokua nga mosmarrëveshjet mes vendeve të BE-së.
Pikat kishin të bënin me një sistem solidariteti të detyrueshëm midis bllokut, në rast të një fluksi masiv migrantësh në kufijtë e një shteti anëtar.
Hungaria, Polonia, Austria dhe Republika Çeke e kundërshtuan paktin në korrik, ndërsa Gjermania, Sllovakia dhe Holanda abstenuan, duke e bërë të pamundur arritjen e shumicës së kërkuar për miratim.
Ndërkohë, Gjermania synon të miratojë rregulloren e diskutueshme të krizës për reformën e planifikuar të BE-së për azilin, pavarësisht shqetësimeve të vazhdueshme në koalicionin qeverisës.
Për të ushtruar presion mbi vendet anëtare për arritjen e marrëveshjes, Parlamenti Evropian vendosi javën e kaluar të ndërpresë negociatat për dy rregullore të tjera në paketën e migracionit që synojnë forcimin e sigurisë së kufijve të jashtëm.
Ajo shtoi se nuk mund të vazhdohet përpara vetëm duke pasur shtyllën e sigurisë së reformës pa shtyllën e azilit, që do të thotë solidaritet mes shteteve anëtare.
Metsola theksoi se çështja e ndezur politikisht e migracionit, ishte shqetësimi kryesor në 26 nga 28 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian në zgjedhjet e 2019.
“Nga qytetarët te refugjatët dhe nga punëkërkuesit te kryeministrat në Këshillin Evropian, emocionet janë jashtëzakonisht të larta në të gjitha nivelet, kur trajtoni termin migracion në tavolinë”, tha ajo.
Belgjika do të marrë presidencën e Këshillit Evropian në gjysmën e parë të vitit 2024, dhe do të zhvillojë negociatat me parlamentin nga janari.
Italia nuk mund të lihet vetëm
Lidhur me presionin migrator ndaj Italisë, Metsola tha se një vend që u përball me një prurje masive të migrantëve siç po ndodh tani, nuk mund të lihet vetëm.
Ajo iu referua Lampedusës, që është një ishull me 6 000 qytetarë, dhe papritur pranoi 1 700 migrantë në ditë, dhe ditë të tjera 3 000.
Presidentja e Parlamentit Evropian tha se ishte e hapur ndaj kërkesës së Italisë për mundësinë e një misioni detar në Mesdhe.
“Kjo është diçka që ne mund ta shohim pozitivisht”, tha ajo, duke theksuar se misioni do të rezultonte në më pak persona që humbin jetën dhe respektimin e kufijve.
Përveç kësaj, ajo dukej se ishte në harmoni me Romën edhe në një pikë tjetër, mirëkuptimi BE-Tunizi për migracionin, i kërkuar nga kryeministrja Giorgia Meloni, dhe që aktualisht po përballet me ujëra të trazuar.
“Derisa të kemi gjetur një zgjidhje që lejon përpunimin e kërkesave për azil jashtë territorit të BE-së, ne do të duhet të dialogojmë me ato vende nga të cilat migrantët nuk kanë zgjidhje tjetër përveçse të hipin në një anije”, shtoi ajo.
Metsola tha se Bashkimi Evropian duhet të gjejë një zgjidhje sipas së cilës kërkesat për azil mund të trajtohen jashtë territorit të Bashkimit Evropian, dhe deri atëherë të zhvillohet dialog me vendet nga të cilat migrantët nisen me anije.
Schengen: Kontrollet e kufirit të brendshëm shqetësuese
Duke komentuar kontrollet e zgjeruara të javës së kaluar nga Gjermania dhe Polonia në kufijtë e brendshëm të Schengenit, Metsola tha se ishin politikisht shqetësuese.
Ajo shtoi se nëse do të kryheshin kontrollet e nevojshme të pasagjerëve në kufijtë e jashtëm, nuk do të kishte nevojë për rivendosjen e kufijve të brendshëm.
“Nëse mendoni për një nga avantazhet më të rëndësishme të BE-së dhe atë që njerëzit jashtë BE-së shohin kur mendojnë për BE-në është liria e lëvizjes. Liria e lëvizjes do të thotë që mund të udhëtosh, të punosh”, tha ajo, duke shtuar se kufijtë e brendshëm në BE po mbyllen pasi politika e ruajtjes së kufirit të jashtëm nuk po funksionon mirë.
Ajo tha gjithashtu se Bullgaria dhe Rumania duhet të pranohen në zonën Schengen dhe një vendim pozitiv pritet deri në fund të Presidencës spanjolle të Këshillit të BE-së.
“Ju, jo vetëm që e keni pritur, por edhe e keni merituar që nga viti 2011”, tha ajo.
Metsola shpreson për bisedime të negociatave me Ukrainën deri në fund të vitit
Presidentja e Parlamentit Evropian shpreson që BE-ja të hapë negociatat e pranimit me Ukrainën dhe Moldavinë deri në fund të vitit, duke bërë thirrje që shpresat e këtyre vendeve kandidate të mos “thyhen”.
“Nëse Ukraina dhe Moldavia janë gati, negociatat e pranimit duhet të fillojnë dhe hapat mund të ndërmerren gradualisht, hap pas hapi. Secili vend ndjek rrugën e tij, por le të mos zhgënjejmë miliona njerëz që e quajnë Evropën shtëpinë e tyre”, tha ajo.
Në qershor 2022, në një gjest shumë simbolik, BE-ja i dha Ukrainës dhe Moldavisë statusin e kandidatit.
Komisioni Evropian duhet të nxjerrë një raport në fund të tetorit për progresin e bërë nga të gjitha vendet që duan të anëtarësohen në BE, dhe pritet në veçanti të rekomandojë Këshillin Evropian të hapë negociatat e pranimit për Ukrainën dhe Moldavinë.
Pesë vende në Ballkanin Perëndimor, Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia, kanë gjithashtu statusin kandidat.
Disa prej tyre kanë negociuar anëtarësimin për më shumë se 10 vjet.
Metsola komentoi gjithashtu sulmet e fundit në Kosovë dhe u bëri thirrje të gjitha palëve që të bëjnë përpjekje për të rivendosur qetësinë dhe stabilitetin.
Zgjedhjet Evropiane 2024
Metsola pret një fushatë të ashpër në zgjedhjet evropiane të qershorit 2024, por edhe që BE-ja e ardhshme të ketë një shumicë pro-evropiane dhe konstruktive.
Presidentja e PE-së tha se lufta kundër ekstremizmit do të jetë një sfidë e madhe në fushatën për zgjedhjet e 6-9 qershorit.
Ajo tha se priste që grupet politike në PE-në e ardhshme të ishin edhe më të fragmentuara se tani, dhe se atyre do t’u duhej më shumë kohë për të përcaktuar përparësitë e tyre.
Grupet politike duhet ta bëjnë këtë përpara 17 korrikut 2024, kur PE-ja e re të mbajë seancën inauguruese.
Sipas saj, është e nevojshme të luftohet narrativa e grupeve ekstremiste, për të kuptuar se ka qytetarë të frustruar, të margjinalizuar që prej vitesh nuk votojnë për partitë kryesore.
“Përgjigja nuk është nga partitë e pushtetit që të shikojnë votat e tyre të sigurta, por të shohin votat që kanë humbur dhe të pyesin veten pse nuk folën sa duhet me ata njerëz që janë të margjinalizuar, që nuk kanë punë, që janë në zonat rurale, që ndihen të braktisur ose që janë në zonat urbane dhe që ndihen të pambrojtur”, tha Metsola.
E pyetur për sistemin kryesor të kandidatëve, sipas të cilit çdo grup politik duhet të propozojë një kandidat për president të Komisionit Evropian, dhe se posti automatikisht i shkon partisë që fiton më shumë vota, Metsola tha se ky lloj sistemi ka funksionuar në vitin 2014.
Në atë kohë Jean-Claude Juncker u zgjodh president i Komisionit si kandidat i Partisë Popullore Evropiane.
Por sistemi u braktis në vitin 2019, kur Këshilli Evropian emëroi Ursula von der Leyen, e cila as nuk kandidoi.
“Këshilli Evropian i cili emëron një kandidat, dhe Parlamenti Evropian i cili voton për kandidatin, duhet të bien dakord për këtë çështje përpara zgjedhjeve të vitit të ardhshëm”, theksoi Metsola.
“Nëse Von der Leyen kërkoon të kandidojë ërish, ajo do të duhet të marrë pjesë në fushatë si presidente e Komisionit, jo si një kandidate për eurodeputete në zonën e saj elektorale”, tha ajo.
Metsola tha se Von der Leyen ka bërë një punë shumë të mirë, megjithëse nuk ka pasur një mandat të lehtë, dhe se duhet mirëpritur fakti që ajo është gruaja e parë në krye të Komisionit./ /a.i/ a.jor.























