TIRANË, 28 shtator/ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndodhet në Riad, ku po merr pjesë në takimin e nivelit të lartë ministerial dhe të liderëve botërorë të sektorit të turizmit me rastin e Ditës Botërore të Turizmit.
Në kuadër të këtij aktiviteti, Kumbaro zhvilloi takime me ministra dhe drejtues të organizmave më të rëndësishëm ndërkombëtarë që e vlerësojnë maksimalisht Shqipërinë turistike.
Kumbaro zhvilloi takime me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Turizmit, Zurab Pololikashvili, drejtuesen e WTTC Julia Simpson, ministrin e Turizmit të Arabisë Saudite, Ahmed bin Aqil al-Khateeb, ministrin e Turizmit të Turqisë, Mehmet Nuri Ersoy, ministren e Kroacisë Nikolina Brnjac, ministrin e Izraelit, Haim Katz, ministrin e Jordanisë Makram Mustafa Queisi dhe ministrin e Maltës Clayton Bartolo.
Sipas saj, investimet e gjelbra dhe turizmi i qëndrueshëm janë kryetema e organizimit të këtij viti në Riad, me rastin e Ditës Botërore të Turizmit, ku modeli shqiptar vlerësohet gjithmonë e më shumë ndërkombëtarisht.
/m.m/























