Ballina Bota

BRUKSEL – Von der Leyen: BE do të ketë më shumë se 30 anëtarë

BRUKSEL, 13 shtator /ATSH-AA/ – Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, i bëri thirrje të mërkurën Bashkimit Evropian që të vazhdojë me zgjerimin, duke e quajtur atë “investimi më i mirë në paqe, siguri dhe prosperitet për të gjithë kontinentin.

Në fjalimin e saj tradicional për Gjendjen e Bashkimit në Parlamentin Evropian në Strasburg, Von der Leyen bëri presion për zgjerimin e BE-së, duke thënë se ajo ishte e bindur se blloku do të kishte më shumë se 30 anëtarë, nga 27 që janë aktualisht.

Ajo theksoi se BE-ja duhet t’i përgjigjet “thirrjes së historisë” dhe të “përputhet” me vendosmërinë e vendeve kandidate për të zbatuar reformat për t’u bashkuar me bllokun.

“E ardhmja e Ukrainës është në bashkimin tonë. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në bashkimin tonë. E ardhmja e Moldavisë është në bashkimin tonë”, tha Von der Leyen.

Ajo njoftoi se Komisioni Evropian do të publikojë rishikimet e politikave të para-zgjerimit rreth rishikimit të mundshëm të institucioneve, politikave dhe buxhetit të BE-së pasi BE-ja gjithashtu ka nevojë për ndryshime që të jetë e “gatshme për zgjerim”.

Organi ekzekutiv i BE-së do të përfshijë gjithashtu vendet kandidate në raportin e saj për sundimin e ligjit për të “identifikuar progresin dhe shqetësimet”.

Duke rikujtuar raundin e mëparshëm të madh të zgjerimit në vitin 2004, kur 10 vende u bashkuan me bllokun, Von der Leyen tha se ajo dëshiron që BE-ja “të presë me padurim ditën e ardhshme evropiane të mirëseardhjes dhe historitë e ardhshme të suksesit ekonomik”.

Muajin e kaluar, Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, përsëriti angazhimin e bllokut për zgjerim të mëtejshëm deri në vitin 2030, duke thënë se BE-ja duhet të jetë gati për anëtarë të rinj.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“Në fshat 2”, Kumbaro: 24 studentë mundësi të punojnë dy javë nëpër fshatra
Artikulli tjetërProcesi i Berlinit, mundësi për vendet e rajonit në kuadër të katër lirive