Ballina Aktualitet

Basha përkujton Azem Hajdarin: Kontributi i tij do të nderohet përherë

TIRANË, 12 shtator/ATSH/ Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha përkujtoi sot liderin e lëvizjes studentore, Azem Hajdari, i cili u vra në afërsi të selisë blu 25 vite më parë.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Basha evidentoi kontributin e dhënë nga Hajdari për demokracinë në vend.

“25 vite më parë u vra pabesisht Azem Hajdari, lideri i Lëvizjes Studentore që me veprën e tij të pavdekshme u bë simboli i vullnetit të shqiptarëve në përballjen me regjimin komunist dhe ngadhënjimin e lirisë mbi diktaturën”, shkruan Basha.

“Kurajoja, antikonformizimi dhe vendosmëria përkundër fuqive në dukje më të mëdha janë testamenti politik i jetës politike të shkurtër por të pashoq të Azem Hajdarit. Angazhimi politik për Azem Hajdarin ishte një instrument për t’i shërbyer njerëzve dhe jo vetes, për të përmirësuar dhe ndryshuar jetët e shqiptarëve të etur për ndryshim dhe jo për të ringritur sarajet e reja të luksit dhe pushtetit personal mbi muret e vjetra të arrogancës, korrupsionit dhe hipokrizisë së regjimit komunist”, shtoi Basha.

“Kontributi i tij në altarin e lirisë dhe demokracisë do të nderohet përherë, si dëshmia më domethënëse e forcës së një populli të shtypur dhe nëpërkëmbur për të sfiduar frikën dhe apatinë, për të triumfuar mbi të keqen dhe për të ndërtuar përmes lirisë një të ardhme të denjë për çdo shqiptar. I paharruar kujtimi i tij!”, përfundoi Basha.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOKUS – Mijëra të vdekur pas stuhisë së fuqishme në Libi
Artikulli tjetërPeleshi: Vijojnë pa ndërprerje operacionet për shuarjen e zjarreve