Ballina Aktualitet

Transportonte 8 emigrantë nga vendet e treta, arrestohet 55-vjeçari

TIRANË, 19 gusht /ATSH/  Policia e Durrësit ka finalizuar  operacionin policor të koduar “Roads”, teksa ka arrestuar një 55-vjeçar, i cili po transportonte 8 emigrantë nga vendet e treta, kundrejt pagesës, me qëllim dhënien ndihmë për kalim të kufirit në mënyrë të paligjshme.

Policia e Shtetit njoftoi sot se, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponjat”, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas po transportonte drejt Tiranës, emigrantë që kishin si qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit me Malin e Zi, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Roads”.

Si rezultat i këtij operacioni, në aksin rrugor Plepa-Durrës, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit G. H., 55 vjeç, banues në Lushnjë.

Ky shtetas po transportonte kundrejt pagesës, me automjet, drejt Tiranës, 8 shtetas nga Afganistani, të cilët kishin si synim kalimin ilegal të kufirit me Malin e Zi.

Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të ushtruar afër banesës së 55-vjeçarit, u gjetën 82 bagëti të trasha (viça), të cilat dyshohet se i ka kontrabanduar në Shqipëri.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të veprimtarive kriminale të këtij shtetasi.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVendosja nën kontroll e vatrave të zjarrit, Rama falënderon forcat zjarrfikëse dhe repartet e FA
Artikulli tjetërRama uron Clinton: Gëzuar ditëlindjen zoti President