Ballina Aktualitet

Bënë gara shpejtësie gjatë natës dhe përplasën disa automjete të parkuara, Policia masë 3 shoferëve

TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Policia Rrugore e Durrësit, në vijim të kontrolleve të pandërprera të ushtruara gjatë ditës dhe gjatë natës, me qëllim parandalimin, konstatimin dhe goditjen e paligjshmërive në çdo formë të shfaqjes së tyre, konstatuan një rast të organizimit të kundërligjshëm të një gare shpejtësie, në një vendparkim automjetesh dhe në disa lagje të qytetit, ndërmjet 3 drejtuesve të automjeteve.

Policia njofton se, “shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” ndërhynë menjëherë dhe ndaluan këtë veprimtari të kundërligjshme, shoqëruan në Komisariat 3 drejtuesit e automjeteve, shtetasit O. Sh, E. D. dhe I. N., si dhe në bashkëpunim me specialistët e Qarkullimit Rrugor të DVP Durrës, ndëshkuan me masa administrative 40 000 deri në 110 000 lekë, secilin prej këtyre shtetasve, për organizimin e kësaj gare, për mungesa në dokumentacionet e automjeteve që drejtonin, për pajisjen e këtyre automjeteve me xhama të errët, në kundërshtim me Kodin Rrugor, si dhe për prishjen e qetësisë publike gjatë natës, si pasojë e zhurmave të automjeteve të tyre”.

Shërbimet e Policisë Rrugore të Durrësit vijojnë monitorimin e çdo aksi rrugor të qarkut, me pajisje logjistike dhe me patrulla të paloguara.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGREQI – Dënime më të rrepta për zjarrvënësit
Artikulli tjetërU ankua për koncesionin e Portit të Durrësit, Gjykata Kushtetuese s’kalon për shqyrtim kërkesën e kompanisë EMS