TIRANË, 17 korrik /ATSH/ Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) vijon të mbështesë fermerët, që me pasionin dhe punën e tyre këmbëngulëse po çojnë përpara prodhimin bujqësor vendas dhe modelet e fermave që po zhvillohen sipas standardeve më të mira.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca solli shembullin e Faslli Salliut, fermerit në Vashaj të Peqinit, që punon në tokën e tij dhe ka ngritur një pemëtore mbresëlënëse ku kultivon pjeshkë, kumbulla e kajsi të cilësisë së lartë.
Ministrja Krifca, publikoi në rrjete sociale pamje nga ferma, ku shihen pemët plot me fruta dhe aspekte nga vjelja e prodhimit, teksa arkat e mbushura me pjeshkë, janë gati për treg.
Faslliu tregon se ka dy hektarë tokë të mbjella me pjeshkë, kumbulla dhe kajsi, ndërsa punën e tij me tokën e vijon edhe në fushën e mbjellë me grurë dhe misër.
“Unë kam punuar në Itali. Por kam disa vite që jam rikthyer në tokën time, në fshatin Vashaj. Në pemëtoren që kam ngritur, po aplikoj përvojën më të mirë që kam fituar në Itali nga puna në frutikulturë”, shprehet Faslliu.
Ai thotë se, ka 9 vite që punon në fermën e tij dhe është shumë i kënaqur me prodhimin dhe mbështetjen që ka marrë nga Skema Kombëtare.
“Kam përfituar mbështetje nga skema e naftës pa taksa për bujqësisë, kam përfituar subvencion për zbatimin e sistemit të ujitjes me pika dhe për blerjen e fidanëve, që më kanë lehtësuar kostot dhe më kanë nxitur të zgjeroj investimin”, thotë Faslliu.
Gjithashtu shprehet ai, “jam shumë i kënaqur me shitjen e prodhimit dhe të ardhurat që mbledh”.
“Kemi dalë shumë mirë këtë vit. Gëzohem që nuk më ka mbetur malli stok. Prodhimi është cilësor dhe shumë i kërkuar nga tregu. Me kumbullën kam pasur prodhim të jashtëzakonshëm”, thotë fermeri, teksa shprehet optimist për rrugën që ka zgjedhur për të punuar.
Prodhimi i pemëve frutore në vendin tonë vitin e fundit është rritur në mbi 280 mijë tonë, nxitur nga zgjerimi i eksporteve që shënon rritje dyshifrore.
Si rezultat i shumë kultivarëve të mbjellë, prodhimi i tyre fillon nga muaji maj dhe vazhdon deri në fund të tetorit.
Sipas MBZHR, Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural ka financuar rreth 6000 projekte ndër vite, me një vlerë prej 948 milionë lekë, duke shtuar me 3400 hektarë sipërfaqen e mbjellë me dru frutorë, ku nektarina dhe pjeshka zënë rreth 23,25 % të prodhimit.
Prodhimi i frutave është i përqendruar në qarkun e Korçës, me rreth 23 % të numrit të pemëve frutore dhe 30% të prodhimit total të frutave, i ndjekur nga Elbasani, Berati, Fieri dhe Dibra. Të gjitha këto qarqe së bashku përbëjnë më shumë se 2/3 e prodhimit total të frutave në Shqipëria.

/r.e/























