Ballina Ekonomi

Organizata Ndërkombëtare e Mbikëqyrësve në Sigurime: AMF ndërmori reforma të thella ligjore e rregullatore

TIRANË, 11 korrik/ATSH/ Organizata Ndërkombëtare e Mbikëqyrësve në Sigurime (IAIS) ka publikuar në faqen e saj zyrtare, raportin përfundimtar të vlerësimit për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, në lidhje me Parimet Themelore në Sigurime (ICP).

Raporti i përpiluar nga një grup ekspertësh ndërkombëtarë u miratua në mbledhjen e fundit të Komitetit Ekzekutiv të IAIS.

Në mënyrë të veçantë, dokumenti vëren progresin e konsiderueshëm të realizuar nga AMF sa i përket kuadrit ligjor dhe mbikëqyrës për tregun e sigurimeve. Gjithashtu, raporti konstaton avancimet e bëra sa i përket pavarësisë institucionale të AMF, praktikave të licencimit dhe përshtatshmërisë së subjekteve, kërkesat për qeverisjen dhe menaxhimin e riskut, risigurimin, mbikëqyrjen efektive ndërkufitare, kuadrin ligjor kundër pastrimit të parave në sektorin e sigurimeve, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe shkëmbimin e informacionit, si edhe transparencën.

“AMF ka ndërmarrë reforma të gjithanshme gjatë viteve të fundit, duke forcuar ligjin kuadër, si edhe rishikuar ligjet dhe rregulloret në tregun e sigurimeve. Progresi është udhëhequr nga objektivi i përafrimit me kërkesat e BE-së, si edhe nga rekomandimet e lëna në vlerësimin e bërë nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në vitin 2013,” thuhet ndër të tjera në raport.

Në vlerësimin e bërë gjatë viteve 2013-2014, në kuadër të Programit të Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP), Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, konstatuan se vetëm një parim bazë nga 24 rezultonte plotësisht i përputhur. Ndërsa në vlerësimin e fundit të realizuar nga IAIS, 10 parime themelore rezultojnë plotësisht të përputhura (observed) me parimet ndërkombëtare dhe 12 të tjera me një nivel të lartë përputhshmërie (largely observed).

Në përmbledhjen ekzekutive të raportit të vlerësimit, grupi ndërkombëtar i IAIS thekson se “Aktiviteti rregullator i AMF-së karakterizohet nga objektiva të qarta, pavarësi institucionale dhe burime të duhura. Ekziston një kuadër ligjor i zhvilluar për licencimin, veprimet e tjera rregullatore, si edhe kërkesat për përshtatshmëri. Ka një kuadër kërkesash për mirëqeverisjen dhe menaxhimin e riskut, përfshirë risqet që lidhen me risigurimin.”

Duke analizuar më tej, risigurimin, raporti thekson se përdorimi i duhur i mekanizimit të risigurimit mbështet zhvillimin e tregut të sigurimeve në Shqipëri. Autoriteti ka vendosur ligje, rregullore dhe praktika mbikëqyrëse të cilat mundësojnë menaxhimin efektiv të programeve të risigurimit të siguruesve. Efektiviteti dhe cilësia e mbikëqyrjes së Autoritetit u provuan përgjatë tërmeteve të fundit, ku industria e sigurimeve performoi mirë dhe përmbushi detyrimet pa probleme.

Gjithashtu, IAIS vlerëson avancimin e bërë nga AMF në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shkëmbimit të informacionit, edhe në kuadër të mbikëqyrjes së grupeve të sigurimit.

Raporti i IAIS ka lënë gjithashtu disa rekomandime për AMF në kuadër të përafrimit me praktikat më të mira ndërkombëtare. Një prej tyre është avancimi drejt regjimit të mbikëqyrjes Solvency II, i aplikuar tashmë në të gjitha vendet e BE-së, si edhe vijimi i procesit të harmonizimit dhe përafrimit ligjor e rregullator me kuadrin evropian.

Organizata Ndërkombëtare e Mbikëqyrësve në Sigurime (IAIS) ka në anëtarësinë e saj mbikëqyrës dhe rregullatorë nga më shumë se 200 juridiksione në mbarë Botën. I krijuar në vitin 1994, IAIS është autoriteti më i lartë ndërkombëtar në vendosjen e standardeve në fushën e sigurimeve. Ai është përgjegjës për zhvillimin e parimeve, përcaktimin e standardeve dhe hartimin e materialeve mbështetëse për mbikëqyrjen e sektorit të sigurimeve, si edhe ofron asistencë për zbatimin e tyre.

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRaporti i 14 majit për Elbasanin, Noka: Nuk u përmbush asnjë kriter apo standard demokratik
Artikulli tjetërVILNIUS – Shtëpia e Bardhë: Do të vazhdojmë me shitjen e avionëve luftarakë F-16 në Turqi