TIRANË, 11 korrik/ATSH/ Në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik është diskutuar projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin, nr. 53/2019, datë 18.07.2019 “Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë””, propozim i një grupi deputetësh.
I ftuar në këtë komisionin ka qenë edhe kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi.
“Ndryshimet në ligjin për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë janë bërë me iniciativë deputetësh. Kur është bërë ai ligj, është miratuar edhe nga Bashkimi i Akademive Europiane, si profesionalisht ashtu dhe nga ana shkencore, për të realizuar një autonomi”, tha akad. Gjinushi në komision. Projektligji në fjalë, sipas kreut të Akademisë, është nga propozimet më të thjeshta që bëhen natyrshëm gjatë provës që kalon një ligj i ri.
“Së pari para është hapja e Akademisë edhe më tej. Ne vumë disa kufij për anëtarët e jashtëm dhe ata të nderit. “Të jashtëm” janë të gjithë shqiptarët e suksesshëm jashtë vendit, ndërsa “të nderit” janë personalite të huaja, që janë të lidhura me shkencën shqiptare. Janë disa kufizime të cilat janë të papërshtatshme, sepse shqiptarët e suksesshëm janë më shumë jashtë sesa brenda dhe për arsye të nivelit të kërkimit shkencor në tërësi”, u shpreh akad. Gjinushi.
Shqetësimi i ngritur nga kryetarja e Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Flutura Açka ishte se brenda javës në komision ishin paraqitur 4 drafte dhe nuk dihej cili ishte përfundimtari. Gjithashtu ajo u shpreh se ky komision nuk ka tagrin të vendosë nëse ka apo jo efekte financiare ky ndryshim, për të cilin duhet të shprehet Këshilli i Ministrave.
Sipas kryetarit të Akademisë ndryshimet në ligj nuk sjellin ndryshime financiare. Akad. Gjinushi tha se aktualisht ka një boshllëk në ligj, pasi ligji nuk shprehet se kush bën përcaktimin e pagave të kryesisë dhe drejtimit shkencor. Me ndryshimet e propozuara nga deputetët Beqiraj e Koçi, ky boshllëk do të plotësohej.
Projektligji edhe sipas deputetit Beqiraj dhe deputetit Koçi, nuk sjell rritje të shpenzimeve buxhetore për Akademinë e Shkencave dhe as për institucionet e tjera.
/r.e/























