UASHINGTON, 8 korrik /ATSH-DPA/ – Presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka marrë vendimin “e vështirë” për të dërguar municione thërrmuese në Ukrainë, pas konsultimit me aleatët dhe partnerët, njoftoi dje në mbrëmje këshilltari i tij për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan.
“Ne nuk do ta lëmë Ukrainën të pambrojtur”, tha ai, ndërsa shpjegoi motivet e SHBA-së për të furnizuar Kievin me më shumë armë.
Kievi ka kërkuar bomba thërrmuese dhe mbetet e përkushtuar për përpjekjet e çminimit në të ardhmen, tha Sullivan.
Ai shtoi se çminimi do të ishte i nevojshëm nëse SHBA-ja furnizonte apo jo Ukrainën me bomba thërrmuese, pasi edhe Rusia ka përdorur bomba thërrmuese që nga fillimi i pushtimit, në shkurt të vitit të kaluar.
“Ne e pranojmë se municionet thërrmuese krijojnë një rrezik të dëmtimit të civilëve nga municionet e pashpërthyera, kjo është arsyeja pse ne e shtymë vendimin”, tha ai.
Kievi ka kërkuar prej disa kohësh municione thërrmuese për të shmangur pushtimin rus.
Municionet thërrmuese janë pjesë e një pakete të re të ndihmës ushtarake për Ukrainën me vlerë 800 milionë dollarë.
Shumica e vendeve të Bashkimit Evropian dhe NATO-s kanë nënshkruar një traktat për ndalimin e municioneve thërrmuese, të njohur si Konventa e Oslos.
SHBA-ja nuk është nënshkruese e traktatit.
Konventa, e nënshkruar nga mbi 100 shtete, ndalon çdo përdorim, prodhimin, transferimin dhe grumbullimin e municioneve thërrmuese. //a.i/






















