Ballina Aktualitet

Naço viziton Panairin Ndërkombëtar të Parisit: Investime për modernizimin e ushtrisë dhe policisë shqiptare

TIRANË, 23 qershor /ATSH/ Me ftesë të kryetarit të Komisionit për Mbrojtjen dhe Armët të Asamblesë Kombëtare të Francës, Thomas Gassilloud, kryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Nasip Naço vizitoi dje Panairin Ndërkombëtar të Parisit, një nga më të mëdhenjtë në botë, si dhe mori pjesë në takimin shumëpalësh të organizuar me këtë rast.

Në këtë aktivitet morën pjesë delegacione nga Kroacia dhe Luksemburgu.

Të ftuarit vizituan stenda të ndryshme për t’u njohur me fjalën e fundit të teknologjisë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Gjatë takimit Gassilloud u shpreh shumë i kënaqur për prezencën e homologëve të Ballkanit në takim.

Kryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Nasip Naço tha se, Shqipëria është e angazhuar në përmbushjen e detyrave që rrjedhin si pasojë e pranisë sonë në NATO, ndërsa vuri theksin në investimet që janë bërë vitet e fundit në drejtim të modernizimit të ushtrisë shqiptare, policisë apo organeve të tjera ligjzbatuese.

Ai nënvizoi bashkëpunimin e shkëlqyer parlamentar që ekziston mes Francës e Shqipërisë sidomos duke përmendur shkëmbimet e vizitave të Grupeve respektive të Miqësisë dhe në këtë drejtim ftoi Gassilloud të vizitojë Tiranën në një kohë të përshtatshme për të.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakImportet e makinerive dhe pjesëve të këmbimit, 86.6 miliardë lekë
Artikulli tjetërBM – Sunak: Luftë kundër inflacionit, pas rritjes së normës së interesit