Ballina Bota

BRUKSEL – Emetimet e CO2 në BE u ulën me 2,8% në 2022

BRUKSEL, 9 qershor /ATSH-DPA/- Emetimet e dyoksidit të karbonit (CO2) nga djegia e karburanteve fosile në Bashkimin Evropian u ulën me 2,8% në vitin 2022 krahasuar me vitin e kaluar, njoftoi sot agjencia e statistikave e bllokut “Eurostat”.

Këto emetime gjenerohen kur nafta dhe produktet e naftës, gazi natyror dhe qymyri digjen për përdorim të energjisë.

“Emetimet e CO2 nga përdorimi i energjisë kontribuojnë në ngrohjen globale dhe përbëjnë rreth 75% të të gjitha emetimeve të gazrave serrë të shkaktuara nga njeriu në BE”, tha “Eurostat”.

Përzierja e energjisë e një vendi, standardet e strehimit, tendencat ekonomike dhe aktivitetet industriale ndikojnë në emetimet e CO2 nga përdorimi i energjisë.

“Gjermania, me popullsinë e saj relativisht të madhe dhe industritë intensive të energjisë, përbënte një të katërtën e emetimeve totale të CO2 të BE-së nga djegia e karburanteve fosile për përdorim të energjisë në vitin 2022”, tha Eurostat.

“Italia dhe Polonia (secila 12,4%) dhe Franca (10,7%) renditen pas Gjermanisë në listën e emetuesve më të mëdhenj të CO2 të BE-së”, sipas të dhënave.

Holanda (-12,8%), Luksemburgu (-12%) dhe Belgjika (-9,7%) ishin tre vendet që regjistruan uljen më të madhe të emetimeve të CO2 nga përdorimi i energjisë në vitin 2022.

Në Gjermani, emetimet u ulën me 3,1%.

Bullgaria (+12%), Portugalia (+9.9%) dhe Malta (+4.1%) ishin tre vendet me rritjen më të lartë të emetimeve.

Në të gjithë BE-në, emetimi i CO2 nga gazi natyror u ul me 13 pikë përqindjeje, në përputhje me përpjekjet për të frenuar kërkesën për gaz, pasi Rusia uli fuqishëm importet e gazit në bllok vitin e kaluar. //a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMurale me Leo Mesin në Tiranë
Artikulli tjetërRama: Shkrimi i “Financial Times”, kartolina më e sinqertë nga Shqipëria për publikun britanik