Ballina Aktualitet

Rama nga Fieri: Bashkia më e hapur për qytetarët, të gjithë duhet të dëgjohen

Tiranë, 5 qershor/ATSH/ Nga Fieri, ku vijoi turin e falenderimeve, Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama tha se të gjithë duhet të dëgjohen e askush të mos ndihet i braktisur.

Duke falenderuar fierakët për besimin e dhënë, Kryeministri Rama, e cilësoi rezultatin e 14 majit si historik dhe si pikënisje edhe për bashkitë e tjera, ku më herët vota ishte për opozitën.

“Në Fier kemi marrë 2/3 për këshillin bashkiak, gjë që s’kishte ndodhur kurrë. Por ama, nga krahu tjetër kjo të imponon diçka më shumë sesa kemi bërë deri tani. Prandaj pika e parë e programit duhet të jetë njerzillëku. Pavarësisht se çfarë statusi social ka një person, pavarësisht nëse vjen nga qendra apo skaji fundor i Fierit, duhet të ndihet i respektuar dhe begenisur, dhe pavarësisht se nuk mund t’ia zgjidhësh të gjitha hallet, bashkia duhet të adresojë të gjitha hallet që mundet qytetarit. Nëse s’bëhet kjo, s’ka vlerën që duhet të ketë vota e 14 majit”, tha Rama.

Kryeministri Rama tha se pushteti lokal duhet të gjejë mekanizma për të qenë më afër qytetarit. Ai tha se në 14 maj ka dhe një numër votash nga ata që më herët s’e kanë votuar Partinë Socialiste.

“Duhet të gjejmë vlera të reja për ta bërë bashkinë shumë më të hapur, për t’i bërë këshillat shumë më të aksesueshëm për njerëzit. Dhe për t’i bërë njerëzit të ndihen shumë më mirë. Jemi në kushtet kur mund të krijojmë një komunitet të madh shumë më të gjerë se Partia Socialiste. Askush të mos ndihet i braktisur apo përbuzur, pavarësisht kë përfaqëson. Kjo sepse në 14 maj ka dhe një numër votash të atyre që s’na kanë votuar kurrë, por që kanë votuar. Potencialisht çdokush që ne takojmë, na troket, që njohim si të djathtë, mund të jetë një nga votuesit tanë”, tha Rama.

“S’kemi asnjë të drejtë që t’i paragjykojmë, t’i themi ti s’je i joni, gjë që fatkeqësisht ndodh në shumë raste. Kemi detyrën vetëm t’i shërbejmë dhe të bëjmë atë që thotë populli shqiptar, që atë që s’ma zgjidh dot, të paktën ma qaj. Kjo është shumë rëndësishme që punët e nisura t’i çojmë përpara”, tha Rama.

/af/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKOMENT – Rimëkëmbja e befasishme e eksporteve gjermane nuk mjafton për të qetësuar ankthin e recesionit
Artikulli tjetërRama: Hijet e të shkuarës në një koalicion, i cili nuk i ofrojë asgjë Shqipërisë