Ballina Aktualitet

Tabaku: Inflacioni i lartë ndikoi të ardhurat e qytetarëve dhe konsumin

TIRANË, 31 maj/ATSH/ Komisioni i Ekonomisë e Financave zhvilloi sot një dëgjesë për raportin e Bankës së Shqipërisë, ku deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ngriti disa shqetësime që lidhen me rritjen e inflacionit, luhatjet e kursit të këmbimit, situatën ekonomike dhe skemën e pensioneve.

Sipas saj, Shqipëria ka një inflacion të lartë që ka ndikuar tek të ardhurat e qytetarëve dhe tek konsumi i tyre.

“Por jo vetëm kaq, sipas Bankës së Shqipërisë norma e inflacionit bazë për tremujorin e parë të 2023 ka qenë 7.98 %”, vazhdoi deputetja Tabaku, ndërsa ngriti pyetje në lidhje me politikën monetare që ka ndjekur Banka e Shqipërisë dhe nëse kjo politikë po ndihmon uljen e inflacionit apo jo.

Më tej, ajo më tej vuri theksin në situatën e kursit të këmbimit dhe njëkohësisht edhe situatën e pastrimit të parave.

“Ndërkohë që flasim bilanci tregtar i qeverisë është po ashtu negativ ndërkohë që Shqipëria ka një rritje ekonomike shumë të vogël si dhe parashikohet ta ketë poshtë 3 % në vitin aktual”, tha Tabaku, ndërsa ngriti shqetësime në lidhje me një luhatje të kursit që po i bën dëm ekonomisë dhe sidomos kredimarrësve.

Tabaku tha se “debati mbi kursin e këmbimit ngriti një pikëpyetje në lidhje me politikën e deeurozimit”. Në këtë drejtim, ajo shtroi pyetjen nëse rënia e pakuptimtë e euros është e lidhur me shqetësimet e ngritura nga MoneyVal për ekonominë gri informale.

“Në një punim dhe studim të Bankës së Shqipërisë, së cilës i referohem, edhe që analizon tregun e imobiliarëve në tri zona: Tiranë, bregu i Shqipërisë dhe Shqipëria brenda është zbuluar se hendeku mes çmimit mesatar në Tiranë dhe atij në breg të detit është 270 euro ndërkohë që bregu i detit me shtëpitë brenda në Shqipëri larg bregut është 120 euro”, u shpreh ajo.

/m.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKushi: Riorganizim i Akademisë së Studimeve Albanologjike, nuk plotëson kriteret për IAL
Artikulli tjetër“Business 2030”, Balluku: Fokus, rikthimi i emigrantëve duke u ofruar klimë të lehtësuar biznesi