Ballina Aktualitet

Morinë, goditet një grup i strukturuar kriminal i trafikut ndërkombëtar

TIRANË, 26 maj /ATSH/ Drejtoria Vendore e Policisë Kukës, Policia Kufitare e DVKM Kukës dhe Policia e Kosovës kanë finalizuar operacionin “Strukturimi”.

Policia, falë këtij operacioni, ka goditur një grup i strukturuar kriminal që organizonte dhe drejtonte një rrjet të trafikut ndërkombëtar të emigrantëve nga vendet e treta, nga Greqia për në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi, me destinacion final shtetet e BE-së.

Policia ka vënë pranga 6 shtetas sirianë dhe algjerianë, si dhe ka shpallur në kërkim një shtetas tjetër algjerian.

Grupi, i cili drejtonte rrjetin e trafikut të emigrantëve nga vendet e treta, nga Greqia për në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi, me destinacion final shtetet e BE-së, u zbulua nga kamerat e fshehta të policisë të vendosura në kufirin Shqipëri – Kosovë. Kur u konstatuan nga policia, trafikantët e armatosur tentuan të arratiseshin duke qëlluar me armë drejt policisë, duke rrezikuar seriozisht jetën e punonjësve të Policisë.

Policia informon se u arrestuan shtetasit: A. B., 27 vjeç, me shtetësi algjeriane, si dhe M. N., 25 vjeç, N. A., 20 vjeç, M. Sh., 21 vjeç, M. R., 20 vjeç dhe R. L., 40 vjeç, të pestë me shtetësi siriane. Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi S. G., 27 vjeç, me shtetësi algjeriane.

Këta shtetas u arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Operacioni “Strukturimi” vijon për gjetjen e armëve të zjarrit të përdorura në këtë rast, si dhe për kapjen e shtetasit algjerian të shpallur në kërkim.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.

/gj.m/r.e/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRUSI – Armenia dhe Azerbajxhani takohen me Putinin për të zgjidhur mosmarrëveshjet
Artikulli tjetërPërfundojnë punimet e mureve mbajtëse në Gjuzaj të Lushnjës