TIRANË, 15 maj /ATSH – I. Vata/ -Kryeministri Edi Rama reagoi mbrëmjen e sotme në lidhje me deklaratat e opozitës për kontestim të rezultatit të zgjedhjeve.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama publikoi foto nga stafi në selinë e PS-së, që analizon të dhënat në kohë reale, ndërsa i konsideron përfaqësuesit e opozitës si fallxhorë që paralajmërojnë fitoret nëpër tribuna duke parë filxhanin.
“LIVE Selia e PS – Superskuadra që organizon sondazhet, studion shifrat, analizon trendet e pjesëmarrjes, ndjek të dhënat e terrenit në kohë reale dhe projekton rezultatet me përafërsi mbresëlënëse në bazë algoritmesh shkencore”, shkroi Rama në rrjetet sociale.
“Ndërsa të tjerët paralajmërojnë fitoret nëpër tribuna duke parë filxhanin e dëshirave të tyre dhe pastaj kur dalin rezultatet nga kutitë, vazhdojnë filxhanosen nëpër ekrane me dëshpërimin e avazit bajat të regjimit, që u grabiti befasisht fitoren imagjinare me kthetrat e krimit”, theksoi Rama.
/gj.m/






















