Ballina Aktualitet

Elbasan, Policia zgjidh problematikat në 3 qendra votimi

TIRANË, 14 maj /ATSH/ Komisioni i Qendrës së Votimit nr. 2422/1, në Mengel, Elbasan, ka kërkuar ndihmë nga Policia e Shtetit, pasi vëzhguesit ishin paraqitur pa beixh për procesin zgjedhor dhe pa dokument identifikimi.

Punonjësit e Policisë, me vendim të KQV-së, kanë ndërhyrë në Qendrën e Votimit dhe pas verifikimit të situatës, vëzhguesit që nuk kishin mjete identifikimi janë zëvendësuar me vëzhgues të tjerë.

Po me vendim të Komisionit të Qendrës së Votimit, pas rifillimit të procesit të votimit, punonjësit e Policisë janë larguar nga Qendra e Votimit.

Komisioni i Qendrës së Votimit nr. 2930/01, në Bradashesh, Elbasan, ka kërkuar ndihmë nga Policia e Shtetit, për të larguar nga Qendra e Votimit, shtetasin E. Ll., pasi dyshohej se po ndikonte tek votuesit.

Shërbimet e Policisë, me vendim të KQV-së, kanë shkuar menjëherë në këtë Qendër Votimi, ku pas verifikimit ka rezultuar se shtetasi E. Ll. kishte ndihmuar fqinjin e tij për të votuar, por nuk kishte ndikuar në zgjedhjen e tij.

Po me vendim të Komisionit të Qendrës së Votimit, pas verifikimit të rastit, punonjësit e Policisë janë larguar nga Qendra e Votimit.

Gjithashtu dhe Komisioni i Qendrës së Votimit nr. 2373, në lagjen “Partizani”, ka kërkuar ndihmë nga Policia, pasi njëri nga vëzhguesit e Qendrës së Votimit kishte debatuar me operatoren e kësaj qendre.

Shërbimet e Policisë, me vendim të KQV-së, kanë shkuar menjëherë në këtë Qendër Votimi, ku pasi kanë sqaruar situatën, janë larguar nga Qendra e Votimit, po me vendim të Komisionit të Qendrës së Votimit.

Për të tre rastet është vënë në dijeni edhe prokurori i gatshëm.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVATIKAN – Papa Françesku: Armët shkatërrojnë çdo shpresë për paqe
Artikulli tjetërXhixho: Vota e çdo qytetari ka vlerë të çmuar për veten dhe familjen e tij