TIRANË, 14 maj /ATSH/ Kandidati i Partisë Demokratike për Tiranën në zgjedhjet lokale të 14 majit, Roland Bejko, ftoi qytetarët të votojnë, pasi siç tha ai, “sot është dita më e rëndësishme për të ardhmen e vendit”.
“Sot më shumë se kurrë vota juaj ka rëndësi madhore për Shqipërinë, ndaj ju ftoj të dilni masivisht në këto orë të mbetura e të votoni. Partia Demokratike, si e vetmja forcë e djathtë properëndimore, ju fton sot ta jepni kontributin tuaj dhe ky kontribut shprehet përmes votës tuaj. Vetëm duke votuar ju të dashur vëllezër e motra shqiptarë, mund t’i jepni fund politikës së vjetër e që për më shumë se 32 vite e mban peng vendin”, tha Bejko.
“Ftoj këdo, jo vetëm mbështetësit e Partisë Demokratike, por çdo shqiptar, çdo shqiptar të ndershëm, çdo shqiptar me shpirt të lirë, çdo shqiptar që është jashtë shantazhit, jashtë korrupsionit, jashtë joshjes, që sot të japin këtë kontribut jetik për demokracinë dhe të ardhmen tonë”, vijoi Bejko.
“Politika e vjetër po përpiqet sot më shumë se kurrë që t’iu ofrojë shqiptarëve klimën e tensionit dhe të parregullsive sipas traditës së mbrapshtë 32 vjeçare, por ne e dimë, ju e dini, se këto zgjedhje janë për gjithë shqiptarët, të cilët sot me pjesëmarrjen e tyre kanë mundësinë ti japin një leksion të shkuarës që e ka mbajtur peng Shqipërinë. Sot nuk është koha për të bërë sehir dorëzuar përballë të keqes që ka mbjellë politika e vjetër, por të ushtroni demokracinë që iu jep e drejta e votës”, theksoi Bejko.
“Në emër të PD, në emër të të të ardhmes tonë, ju bëj apel ju të dashur bashkëqytetarë të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë: Mos prisni që politika e vjetër të dorëzohet, por dilni e votoni”, deklaroi ai.























