Ballina Flash

Bejko për arrestimin e Belerit: Nëse është fajtor të mbajë përgjegjësi

TIRANË, 12 maj/ATSH/ Kandidati i PD-së për kryetar bashkie në Tiranë, Roland Bejko ka folur sot lidhur me arrestimin e Fredi Belerit, kandidat i koalicionit “Bashkë fitojmë” në Himarë për shitblerje votash.

Gjatë një interviste televizive, Bejko deklaroi se “dënoj çdo lloj tentative për blerje vote nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” dhe PS-ja, pasi nga PD-ja nuk mendoj se arrin deri këtu. Bota e politikës së vjetër prej 32 vitesh nuk ka si të shpëtojë nga fenomeni i blerjes së votës. Nëse Beleri e ka kryer një gjë të tillë le të mbajë përgjegjësi, nëse do të jetë instrumentim do të jetë prishje për imazhin e Shqipërisë dhe ndikim në raportin me Greqinë”.

“Athina ka qenë shumë korrekte në reagimin e saj. Ka pasur disa reagime nga ana e grekëve, por nëse drejtësia do të vërtetojë që ai është i implikuar në blerjen e votave ai do të dënohet njëlloj siç mund të ndodhte nëse dhe unë do të isha në vendin e tij. Në rastin konkret nëse drejtësia vërteton se ai është fajtor të marrë dënimin e merituar, nuk do të thotë që të jesh minoritar nuk mund të prekesh. Janë çështje sovraniteti dhe integriteti të çdo vendi. Nëse del se kemi instrument politik do të kthehet në bumerang, për vetë qeverinë dhe drejtësinë shqiptare dhe do të dalë qesharak”, nënvizoi Bejko.

Ndërsa i pyetur lidhur me thirrjen e Belerit për helenizimin e Himarës dhe për mbrojtjen që Berisha i bëri deklaratës së tij, Bejko është shprehur se “Sali Berisha është një figurë politike që bën çdo gjë për mbrojtjen e të vetëve dhe çdo gjë për të shkatërruar e ofenduar kundërshtarët”.

Ai theksoi se Beleri e nisi keq fushatën e tij, pasi risolli në vëmendje edhe një herë nacionalizmat, që për mua tashmë më duken si mbetje të shekullit të kaluar.

“Ai e nisi keq fushatën e tij, me një flamur të Vorio Epirit, këto kategori më duken si mbetje të shekullit të kaluar, nuk janë më në modë qarqet nacionaliste, por janë disa organizata dhe persona që ndodhen dikur për të prishur imazhin. Kandidimi i Belerit një figurë problematike në Himarë. Një kandidim i tillë tregon se zoti Beleri është në vështirësi, dhe lidhur me të tashmen reagimi i tij nuk është fajtor për shkak se e shkuara e tij është me vepra të ndryshme për këto debate etnike”, deklaroi Bejko.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakZgjedhjet vendore, Ambasada e SHBA-së: Drejtuesit e partive patën detyrimin për kandidatë të pastër, proces zgjedhor sipas standardeve ndërkombëtare
Artikulli tjetërBeci: Sjellim shpresë në Shkodër, përballë është zemërimi