TIRANË, 10 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Partia Socialiste nuk e ka të nevojshme blerjen e votave, ndërsa akuzoi kreun e Partisë së Lirisë për blerje votash.
Gjatë një interviste në medie, Rama tha se industrialisti më i madh i blerjes së votave është “Like floriri”.
“Partia Socialiste nuk ka blerë vota dhe se nuk e ka të nevojshme. Ne fitojmë, madje edhe në kushte të pabarabarta, pasi janë të tjerët që blejnë. Industrialisti më i madh i blerjes së votave është Like floriri”, tha Rama.
Kryeministri po ashtu, theksoi se nuk ishte PS, ajo që merrte kohën më të madhe në medie.
“Mediat në Shqipëri sot në bazë të monitorimit me minuta e sekonda anojnë në kohë nga faqja e zezë“, theksoi ai.
Ai mohoi të kishte ndikim në situatën në të cilën ndodhet opozita sot.
“Ky vend nuk ka opozitë sot, jo se unë e kam penguar, por sepse këta janë ca mendjeshkurtër, njerëz me një ligësi të frikshme që kujtojnë se do të marrin popullin për hunde”, u shpreh kryeministri.
Rama u përgjigj edhe për gjobat e vendosura nga KQZ, për disa kandidatë të PS-së, teksa theksoi se ky është një tjetër fakt që tregon se është një institucion i pavarur.
Ai paralajmëroi ankimimin e vendimeve për gjoba në KAS, dhe pranoi se nëse KAS vendos të lërë në fuqi vendimet, PS do t’i paguante gjobat. Megjithatë, Rama theksoi se disa nga vendimet ishin për të të pakuptimta dhe se do t’i shërbenin në të ardhmen dhe si subjekt për shkrimin e një libri të vogël.
Kryeministri e cilësoi fushatën e PS-së si modeste nga pikëpamja e shpenzimeve.
“Fushata është modeste nga pikëpamja e shpenzimeve, shumë më modeste se në të shkuarën. Ishte e ndarë në dy faza, një fazë e parë pa takime të mëdha, takimet kanë qenë të gjitha shumë spontane. Tani është faza e takimeve përmbyllëse që janë takime të mëdha, por përsëri nuk ka tribuna, ekrane, shpenzime të mëdha, kështu që faktikisht, ajo që e bën mbase të duket shumë e madhe si fushatë është prania e njerëzve, nuk ka asgjë të madhe nga pikëpamja e shpenzimeve”, u shpreh Rama.























