PRISHTINË, 9 maj /ATSH/ Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott, ka thënë se është koha që Kosova të propozojë zyrtarisht një draftstatut për Asociacionin, duke u mbështetur në vizionin e kryeministrit Albin Kurti, të prezantuar javën e kaluar.
Sipas tij, i njëjti duhet të jetë edhe në përputhje me kriteret e përcaktuara nga Bashkimi Evropian.
“Pra, tani është koha që Kosova të propozojë zyrtarisht një draftstatut për një Asociacion, duke u mbështetur në vizionin e vendosur nga kryeministri javën e kaluar, në përputhje me kriteret e përcaktuara nga BE-ja”, ka shkruar Abbott në Twitter.
Abbott gjithashtu ka theksuar se aleatët duan të shohin përparim në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, derisa ka përmendur që vizitorë të rëndësishëm do të qëndrojnë këtë javë në Prishtinë, përfshirë diplomaten Victoria Billing.
Takimi i fundit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, është zhvilluar më 2 maj në Bruksel.
Aty, palët janë pajtuar për deklaratën për personat e zhdukur, por jo edhe për Asociacionin.
Pas këtij takimi, kryeministri Kurti ka thënë se draftstatuti i ekipit menaxhues mbetët i papranueshëm për Kosovën, ndërsa e ka paraqitur vizionin e tij për zbatimin e nenit 7 të Marrëveshjes Bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë(27 shkurt 2023)./KosovaPress/





















