TIRANË, 6 maj /ATSH/ Kandidati i Partisë Socialiste për zgjedhjet vendore për bashkinë Vlorë, Ermal Dredha gjatë një takimi me qytetarët tha se, “ky kandidim është një angazhim, është puna jonë e përditshme duke nisur nga unë e deri tek çdo funksionar i bashkisë së Vlorës do të jemi në shërbim të qytetarit 24/7”.
Ai tha se, ky është premtimi që do e mbajë nga dita e parë që do të jetë në bashkinë e Vlorës e deri ditën e fundit.
“Rrugëtimi im ka qenë i gjatë 22 vite kam shërbyer si diplomat pranë Ministrisë së Jashtme, 7 vitet e fundit kam qenë ambasador në Emiratet e Bashkuara, aty kam patur fatin të kem një bashkëpunim intensiv me Kryeministrin Edi Rama, të cilin e kam marrë shembull në punën që dua të aplikojë bashkë me ju për Vlorën dhe komunitetin e saj”, tha Dredha.
Ai theksoi se, “turizmi është kryefjala e Vlorës. Vlorën e ka ndërtuar Zoti për të qenë një vend turistik po falë dhe investimeve të qeverisë shqiptare ne jemi shumë të qartë se ku duam të vazhdojmë me investime më konkrete”.
Dredha u ndal tek një sërë investimesh që do të bëjë në Vlorë gjatë 4 viteve të ardhshme.
“Jo më larg se sot kemi mbyllur një marrëveshje me një kompani belge për të zhvilluar stadiumin e ri të Vlorës, i cili do të jetë një kompleks sportiv në shërbim jo vetëm të sportistëve por dhe për të orientuar rininë vlonjate drejt sportit. Unë kam premtuar që do të krijoj kushtet qoftë dhe me trajnime me partnerët tanë përfshirë këtu dhe me Universitetin e Vlorës me qëllim që të krijojmë një rini solide, një rini e cila do të jetë e aftë për ato vende pune që do të krijojë turizmi i cili po rritet ndjeshëm dita- ditës”, tha Dredha.
Ai u ndal dhe tek bujqësia që e cilëson komponent kyç për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit.
Dredha tha se, “në platformën tonë ne duhet të përfshijmë dhe bujqësinë, të gjithë fshatrat, të cilat duhen të jenë pjesë e pandarë e zhvillimit ekonomik dhe turistik të Vlorës. Do të jemi të angazhuar duke hapur një sportel të dedikuar për gjithë fshatrat e Vlorës, do t’i vijmë në ndihmë atyre duke i informuar së bashku me ekipin tonë sesi duhet të aplikojnë sa i përket angazhimeve dhe projekteve lidhur me prodhimin bujqësor dhe përpunimin e produkteve”.
“Ne kemi një angazhim nëse e duam Vlorën brand turistik ai brand do të kthehet dhe në produktet lokale. Do të kemi një fushatë ndërgjegjësimi sa i përket promovimit të produkteve vendase. Pra gjithë turizmi që vjen në Vlorë të jetë i orientuar drejt produktit vendas”, përfundoi ai.






















