Ballina Bota

FOKUS – Panagiotopoulos: Marrëdhëniet pozitive greko-turke mundësi për paqe, siguri dhe stabilitet në rajon

KAVALA, 9 prill /ATSH-ANA/ – Klima jashtëzakonisht pozitive në marrëdhëniet aktuale greko-turke është një mundësi për të konsoliduar rregullat e fqinjësisë së mirë dhe për të krijuar kushte paqeje, sigurie dhe stabiliteti në rajon, siç Greqia ka dëshiruar gjithmonë, tha ministri grek i Mbrojtjes Kombëtare, Nikos Panagiotopoulos.

”Megjithatë, e gjithë kjo duhet të ndiqet në një kontekst të respektimit të së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtave sovrane të Greqisë”, vuri në dukje ai.

Komentet e ministrit reflektojnë në vizitën e tij në Turqi të martën pas ftesës së homologut të tij turk Hulusi Akar.

Dy ministrat fluturuan mbi zonat e katastrofës me një helikopter dhe vizituan një spital dhe akomodime të përkohshme që strehonin njerëz që humbën shtëpitë e tyre në tërmetet e 6 shkurtit.

I intervistuar nga gazeta greke “Ta Nea” pas vizitës së tij në Turqi, Panagiotopoulos tha se u diskutua mundësia e reduktimit të stërvitjeve ushtarake në Egje si dhe zgjatja e memorandumit Papulias-Yilmaz për të ruajtur marrëdhëniet pozitive mes dy vendeve.

Më 7 prill, gjatë vizitës së Panagiotopoulos në Turqi, ministri turk i Mbrojtjes, Akar deklaroi  se ”në periudhën e ardhshme presim zhvillime konkrete pozitive për disa çështje si zgjatja e periudhës së moratoriumit, e cila parashikon shmangien e manovrave ushtarake në ujërat ndërkombëtare dhe hapësirat ajrore mbi detin Egje nga 15 qershori deri më 15 shtator, kur turizmi është intensiv”.

Duke nënvizuar rëndësinë e mbajtjes së kanaleve të hapura të komunikimit midis dy vendeve, Akar tha se “është dëshira jonë e sinqertë që Egjeu dhe Mesdheu tani të bëhen vërtet dete miqësie duke krijuar një mjedis të përhershëm bashkëpunimi”./ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakHovenier: Krenar që mbështes institucionet e Kosovës
Artikulli tjetërKorrupsion pasiv e shpërdorim detyre, arrestohet oficeri i policisë gjyqësore