Ballina Flash

Tabela orientuese drejt “Manastirit të Spilesë” në Gjirokastër

TIRANË, 6 prill /ATSH/ Të gjitha drejtoritë rajonale të Trashëgimisë Kulturore po punojnë në prag të sezonit turistik për sistemimin e infrastrukturës që të çon në monumentet e kulturës.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka publikuar në rrjetet sociale foto nga puna që po kryejnë punonjësit e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Gjirokastër në sitet kulturore.

“Punonjësit e DRTK Gjirokastër, në bashkëpunim me bashkinë e qytetit kanë ndërhyrë për hapjen, sistemimin dhe pastrimin e rrugës që të çon në “Manastirin e Spilesë”, si dhe vendosjen e tabelave orientuese që të çojnë pranë këtij monumenti”, shkruan Margariti.

Manastiri i Spilesë, është vetëm 2 km larg parkut të Antigonesë në fshatin Saraqinisht. Nga gjithë manastiri ka mbetur vetëm kisha, një objekt 400-vjeçar, i ndërtuar në shekullin XVI. Nuk është vetëm kisha, por edhe një kompleks shpellash pranë tij.

Në territorin e Manastirit të Spilesë i kanë rezistuar kohës dy kisha. E para është kisha e Shën Mërisë, që është e dekoruar në të gjithë hapësirat murale me afreske me motive biblike.

Ndërkohë, Kisha e Shën Kollit, vendosur në një shpellë që gjendet në faqen shkëmbore në lartësinë rreth 30 metra. Kjo shpellë sipas gojëdhënave të vendasve ka shërbyer si vendflijim i eremitëve. Për këtë arsye ajo quhet Shpella e Eremitëve dhe aty gjenden të shpërndara eshtrat e eremitëve të vetësakrifikuar.

/r.e/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGJERMANI – Faqet zyrtare shtetërore goditen nga sulmet kibernetike
Artikulli tjetër“Xhubleta në miniaturë”, historiku i veshjes identitare për brezat e rinj