Ballina Bota

BERLIN – Baerbock: Rusia të ndalë vendosjen e minave në territoret e Ukrainës

BERLIN, 4 prill /ATSH-AA/ – Ministrja e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock i bëri thirrje Rusisë që të ndalë vendosjen e minave në territoret e Ukrainës.

Në një deklaratë me shkrim me rastin e “4 Prillit – Ditës Botërore të Ndërgjegjësimit për Minat”, Baerbock vuri në dukje ”se minat kundër personelit janë armë të tmerrshme”.

“I bëj thirrje edhe Rusisë që të ndalojë aktivitetet e saj për vendosjen e minave në masë të madhe që kryhen në mënyrë të pamatur në tokat bujqësore të Ukrainës. Kjo nuk shkakton vetëm vdekjen e shumë civilëve, por pengon që shumë fermerë të mbjellin tokat dhe të korrin prodhimet e tyre”, shtoi ajo.

Ministrja gjermane mbrojti idenë e saj se Rusia në këtë mënyrë redukton furnizimin ushqimor në tregun botëror dhe se për këtë arsye rrit edhe më shumë urinë në botë.

“Minat në fjalë janë arsyeja pse prindërit në vende si Bosnjë e Hercegovina, Kamboxhia dhe Iraku shqetësohen për fëmijët e tyre sa herë të dalin për të luajtur edhe pse nga konflikti kanë kaluar dekada”, tha Baerbock.

“Minat kundër personelit, godasin kryesisht civilët, copëtojnë me kuptimin e plotë të fjalës familjet dhe shoqëritë. Kjo është arsyeja pse në kuadër të presidencës tonë të Konventës së Ottawa-s ne punojmë për një botë pa mina kundër personelit dhe pse Gjermania është donatori i dytë më i madh në mbarë botën për pastrimin e minave me qëllim humanitar”, theksoi ajo.

“Marrëveshja për ndalimin e përdorimit, ruajtjes, prodhimit dhe transferimit të minave kundër personelit dhe shkatërrimit të tyre” e njohur ndryshe si “Konventa e Ottawa-s” hyri në fuqi më 1 mars 1999 dhe Gjermania ka qenë palë e konventës që nga themelimi i saj./  /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakIbrahimaj: 30 nga 39 investimet strategjike në vend, në sektorin e turizmit
Artikulli tjetërBregu: Promovim Ballkanit Perëndimor, si një destinacion i vetëm turistik