Ballina Aktualitet

Bregu: Promovim Ballkanit Perëndimor, si një destinacion i vetëm turistik

TIRANË, 4 prill/ATSH-Maela Marini/ Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunimin Rajonal, Majlinda Bregu nënvizoi sot rëndësinë e heqjes së barrierave për zhvillimin e turizmit në rajon.

Gjatë punimeve të Konventës Ndërkombëtare të Turizmit në Tiranë, bashkorganizuar për herë të parë në Ballkan me Organizatën Botërore të Turizmit, Bregu vuri në dukje potencialin turistik që ofron rajoni.

Ajo theksoi se “po përpiqemi të promovojmë Ballkanin Perëndimor si një destinacion të vetëm turistik duke zhvilluar një produkt të përbashkët”.

“Rajoni ofron bukuri unike dhe shumë histori. Ballkani është një perlë. Në këtë drejtim turizmi është i rëndësishëm për të mirat ekonomike që sjell. Edhe pse nuk mund të konkurrojmë me Turqinë apo Greqinë, heqja e barrierave është e rëndësishme për turizmin”, tha ajo.

Për këtë arsye, Bregu tha se “jemi zotuar për të hequr të gjitha ato barriera që e bëjnë lëvizjen e njerëzve në rajon trishtuese”.

“Jemi të gëzuar që në Samitin e Berlinit në nëntor ne nënshkruam marrëveshjen për njohjen e diplomave dhe profesioneve, por edhe për lëvizjen e lirë mbështetur mbi kartat e identitetit”, tha ajo.

Bregu theksoi se nuk ia vlen të flitet për rajon dhe për një treg të vetëm të përbashkët rajonal nëse ende mbajmë këto barriera dhe mure vizash mes qytetarëve të Ballkanit Perëndimor.

Bregu theksoi po ashtu se reduktimi i tarifave roaming mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor ndihmon në këtë drejtim.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBERLIN – Baerbock: Rusia të ndalë vendosjen e minave në territoret e Ukrainës
Artikulli tjetërBalluku: Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës, gati për 18 muaj