TIRANË, 17 mars/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama sqaroi sot se, vendimi për rritjen e pagës minimale në 40 mijë lekë në muajin prill, nuk ka lidhje me fushatën elektorale.
“Ne nuk kemi nevojë për të rritur pagat për të fituar zgjedhjet, sepse njerëzit na besojnë më shumë sesa besojnë të gjithë të tjerët, por paga minimale është rritur pikërisht sepse është koha për t’i dhënë të gjithë bashkë një shtysë”, u shpreh Rama në një takim me përfaqësues të sipërmarrjes.
Kryeministri u shpreh se, rritja e pagës minimale nuk është çështje dëshire, por ka të bëjë me konkurrueshmërinë, produktivitetin, kapacitetin që ka tregu dhe që ka ekonomia për ta mbajtur.
“Në këto kushte, ne nuk mundëm dot të mos reagonim duke e çuar pagën minimale përtej, jo programit tonë elektoral, por programeve elektorale të të gjitha partive, edhe të partive të opozitës që në program elektoral, ngaqë e dinë që nuk do fitojnë ofrojnë nënë e babë. 38 mijë lekë ka qenë maksimumi i programeve elektorale, përfshirë dhe programin tonë, për pagën minimale deri në 2025”, tha ai.
/gj.m/r.e/






















