TIRANË, 17 mars /ATSH/ Kryetari i grupit të Rithemelimit në PD, Sali Berisha, në konferencën e përjavshme me gazetarët, u ndal tek arrestimi i kryebashkiakut të Bulqizës, Lefter Alla.
Berisha tha se, Alla u arrestua 5 orë pasi deklaroi se, do të rikandidonte për bashkinë e Bulqizës.
“Fushata po ecën me një ritëm dhe entuziazëm të veçantë. Kandidatët e shpellës apo dajakut, janë sot kandidatët më të përçmuar në 32 vite. Siç e shihni, nuk dalin dot me qytetarët, siç e shihni, janë të pranishëm vetëm në montime dhe manipulime të turpshme televizive”, tha Berisha.
Berisha theksoi se, arrestimi i tij ishte akt i drejtësisë politike dhe jo të pavarur.
“Narko-trafikanti i Bulqizës kishte dosjet palë-palë prej vitesh. Në momentin që deklaroi se do të rikandidonte dhe nuk e pyeste partinë, pas pesë orësh iu vunë prangat. U servir kjo si një akt i drejtësisë së pavarur, në fakt ishte një akt i drejtësisë politike”, u shpreh ai.
Gjithashtu, Berisha u ndal dhe tek shpallja si kryetar i PD-së i Enkelejd Alibeaj, veprim të cilin e konsideron shkelje të çdo ligji dhe standardi në vend.
“Të pretendosh që Alibeaj, që nuk është votuar kurrë, nuk është emëruar kurrë, nuk është votuar në asnjë forum të partisë, që nuk guxon të votohet se nuk merr asnjë votë, që është shndërruar në peng të Ramës, është kryetar i PD, këtë e bën vetëm Edi Rama. Kjo do të thotë të kthehesh tek opozita e emëruar”, u shpreh Berisha.
Ai tha se, “nuk ka asnjë vendim gjykate, që Alibeaj është kryetar partie. Ka një vendim gjykate, që Sali Berisha është kryetar partie. Por këtu nuk kanë rëndësi ligjet”.
/gj.m/r.e/























