Ballina Aktualitet

Pagat e mjekëve, Alimehmeti: Qeveria nuk arrin nivelin e Kosovës

TIRANË, 9 mars/ATSH – I. Vata/ Drejtuesi i departamentit të Shëndetësisë të Komisionit të Rithemelimit të PD-së, Ilir Alimehmeti e ka konsideruar rritjen e pagave për mjekët si vazhdim i propagandës së qeverisë.

Në një deklaratë për mediet, Alimehmeti tha se deklarata ishte një premtim bosh për fushatën elektorale, teksa shtoi se Rama po i sheh edhe qytetarët si klientë, ndaj ata po largohen jashtë vendit për t’u trajtuar si pacientë.

“Nga Kongresi i parë politik i Shëndetësisë, që mund të quhet edhe “i vazhdimësisë së propagandës”, kryeministri Rama, tha se, më 30 prill, të gjithë mjekët specialistë do të marrin një shtesë prej 50 mijë lekë të reja bruto në rrogë. Çfarë po ndodh: Rama nuk e mban mend, apo nuk merakoset për atë që ka thënë një muaj, një vit apo katër më parë. Pikërisht para katër vitesh, ai u taksi një bonus mrekullibërës mjekëve specialistë, duke ua deklaruar rrogat nga 2 deri në 2500 euro. “Nuk kanë nevojë të shkojnë në Gjermani, sepse edhe taksat atje i kanë më të larta”, shprehej kryeministri, i cili nuk kuptohet më kur e ka seriozisht dhe kur bën shaka. Shakaja e tij e fundit, rrogat sa në Gjermani, më 19 shkurt 2019, rikthehet sot pas katër vjetësh, në të njëjtën periudhë, para të njëjtës fushate zgjedhjesh vendore, por në një formë tjetër. Ajo që duhet theksuar është se kryeministri e ka ulur stekën sivjet: para katër vitesh thoshte se do i bënte rrogat sa Gjermania, tani thotë se do të arrijë nivelin e Serbisë. Fakti është një: Ai nuk arrin as nivelin e Kosovës. “Qeveria Kurti” i ka rritur me 601 euro rrogat e mjekëve specialistë. Ndërkohë pagat e mjekëve të përgjithshëm dhe infermierëve janë rritur me 37 për qind. Kjo është si dita me natën me rritjen prej 7 për qind të “qeverisë Rama”, një shtesë që nuk arrin dot as indeksimin nga rritja e çmimeve”, – tha ai.

Në vijim, Alimehmeti tha se Rama e ka në dorë që premtimin ta kthejë në vendim qeverie, por nuk e ka bërë dhe nuk do ta bëjë. Kjo sepse e ka premtim fushate, e ka shaka.

“Me kë tallet kryeministri i Shqipërisë veçse me trupën e mjekëve dhe me qytetarë shqiptarë, të cilët çdo ditë përplasen dyerve të spitaleve? Mjekët dhe infermierët e kanë kuptuar shakanë, dhe nuk ia kanë pranuar talljen kryeministrit. Për këtë arsye ata ikin çdo javë e çdo muaj, me dhjetëra, drejt Gjermanisë apo ku të munden. Hemorragjia e ekipeve shëndetësore është një plagë për sistemin dhe për qytetarin shqiptar, që sëmundja dhe halli e çon nga spitali në spital. Partia Demokratike, siç ka qenë edhe vazhdon të jetë pro rritjes së rrogave të mjekëve dhe infermierëve, gjë që e ka bërë fakt gjatë qeverisjes së saj. Por, ne jemi që rrogat të rriten për të gjitha profesionet dhe sektorët në letër, jo në televizion, në realitet, jo në fushatë dhe për propagandë”, theksoi Alimehmeti.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFreedom House: Liria në botë, në rënie për 17 vjet me radhë
Artikulli tjetërKomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve regjistron PS-në dhe Partinë e Lirisë për 14 majin