Ballina Flash

Ekspertë nga Brukseli, trajnim për emergjencat në Tiranë

TIRANË, 1 mars/ATSH/ Një grup ekspertësh të DG-Echos nga Brukseli ndodhen në Tiranë, për të marrë pjesë në një workshop dyditor, të organizuar nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe në bashkëpunim me strukturat operacionale, ministritë e linjës, 2 prefektura, Agjencinë Shtetërore të Informacionit dhe Gjeohapësirës, Institutin e Gjeoshkencës, Agjencinë e Menaxhimit të Burimeve Ujore, si dhe agjenci të tjera, që kanë rolin e tyre në Mbrojtjen Civile.

Ky bashkëpunim vjen pak kohë pas anëtarësimit të Shqipërisë në Mekanizmin Evropian të Mbrojtjes Civile.

Në fjalën e tij, në nisje të këtij workshop, kreu i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, vuri në dukje faktin se prej 3 vitesh punë intensive në gjenezë të sistemit të mbrojtjes civile, Qeveria shqiptare i është nënshtruar një reforme të thellë në sistemin e menaxhimit të fatkeqësive, duke e zhvendosur vëmendjen nga një menaxhim pasiv i situatave, në një menaxhim proaktiv, të orientuar në parandalim dhe gatishmëri, si dhe qëndrueshmërinë e sistemit të mbrojtjes civile si një mekanizëm gjithëpërfshirës dhe funksional.

Çako përmendi hapat kryesorë, duke filluar nga miratimi i ligjit “Për mbrojtjen civile”, krijimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, hartimin e 16 akteve nënligjore në funksion të ligjit tre dokumentet strategjikë si dhe Planin Kombëtar të Emergjencave që pritet të miratohet brenda këtij viti.

Drejtori i përgjithshëm i AKMC përmendi edhe misionin e parë të Shqipërisë nën koordinimin e Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, në mbështetje të situatës së tmerrshme të krijuar nga tërmeti në Turqi.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTikTok: Nën 18 vjeç maksimumi 60 minuta në ditë në aplikacion
Artikulli tjetërMiratohet hapja e ambasadës shqiptare në Azerbajxhan