Ballina Ekonomi

Autoriteti i Konkurrencës vendos nën monitorim tregun e nënprodukteve të qumështit

TIRANË, 8 shkurt /ATSH/ Autoriteti i Konkurrencës vendosi sot të nisë monitorimin e tregut të tregtimit me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të qumështit.

Në një njoftim për shtyp, Autoriteti i Konkurrencës njoftoi se nisur nga disa informacione të bëra publike në media mbi njoftimin e ndërmarrjeve të përpunimit të qumështit, të cilat kanë lajmëruar pikat e shitjes me pakicë se, duke nisur nga data 15.02.2023, furnizimet e reja të bulmetit do të kenë çmime deri në 37% më të larta, vendosi ngritjen e grupit të punës për monitorimin e këtij tregu”.

Sipas AK-së, duke ndarë të njëjtin shqetësim për rritjen e çmimit të produkteve të bulmetit nga ndërmarrjet në fjalë, Autoriteti po monitoron në terren me qëllim evidentimin nëse ky njoftim do të zbatohet në tregun e shitjes me pakicë dhe, mbi të gjitha, nëse kjo sjellje është abuzive e si rrjedhim në shkelje të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

“Ligji “Për mbrojtjen e konkurrencës” ndalon të gjitha marrëveshjet të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg, veçanërisht marrëveshjet që caktojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë çmimet e blerjes ose të shitjes, kufizojnë ose kontrollojnë prodhimin, ndajnë tregjet ose burimet e furnizimit apo vendosin kushte tregtimi”, thekson AK-ja.

Autoriteti i Konkurrencës sjell në vëmendje të ndërmarrjeve të përpunimit të qumështit se, shkelja e ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës” përbën kundërvajtje administrative dhe sanksionohet me gjobë, në masën deri në 10 për qind të xhiros së vitit financiar paraardhës të ndërmarrjeve të përfshira në marrëveshje të paligjshme. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak51.7 milionë lekë për shpronësimet në Unazën Lindore të Tiranës
Artikulli tjetërRama: Realizohen 25% e punimeve në Unazën Verilindore të Tiranës