Ballina Ekonomi

Vjero: Forcim i rolit dhe funksionit të auditimit të brendshëm

TIRANË, 31 janar/ATSH/ Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi sot ndryshimet e propozuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë në ligjin “Për auditimin e brendshëm në sektorin publik”.

Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Vasilika Vjero e pranishme në Komision, bëri të ditur se ndryshimet kanë si qëllim forcimin e mëtejshëm të rolit dhe funksionit të auditimit të brendshëm për një sistem efektiv të menaxhimit të financave publike dhe të qeverisjes së njësive të sektorit publik në Shqipëri.

Vjero bëri të ditur se auditi është një veprimtari e pavarur dhe padiskutim ofron siguri të arsyeshme për titullarin e njësisë, jep këshilla, rekomandime për përmirësimin e veprimtarisë së punës, çka ka nxitur gjithnjë e më shumë kërkesën për auditime cilësore e auditues të specializuar.

Aktualisht, tha Vjero, janë krijuar 135 njësi të auditimit të brendshëm.

Sipas Vjeros, projektligji thekson qartë detyrimin që çdo titullar i njësisë publike ka për të siguruar kryerjen e shërbimit të auditimit të brendshëm. “Në rastet kur njësia publike nuk plotëson kriteret e përcaktuara në kuadrin nënligjor (VKM nr.83, datë 3.2.2016, “Për miratimin e kritereve të njësive të auditimit të brendshëm në sektorin publik”, të ndryshuar) për të krijuar njësinë e Auditimit të Brendshëm, si pjesë e strukturës organike të vetë njësisë publike, projektligji përcakton se: kryerja e shërbimit të auditimit të brendshëm sigurohet nga njësia e auditimit të brendshëm e institucionit epror”, tha ajo.

Ekspertët e SIGMA-s theksojnë rëndësinë e madhe që ka auditimi i brendshëm, si hallkë përbërëse e “zinxhirit” të palëve të përfshira në luftën kundër mashtrimit dhe korrupsionit. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakProtestohet kundër Asociacionit: Marrëveshje e dëmshme për Kosovën
Artikulli tjetërIbrahimaj: Do vijojmë mbështetjen e biznesit për çmimin e energjisë