Ballina Flash

Plani Kombëtar i Pastrimit, Kumbaro: Mbi 126 mijë tonë mbetje të pastruara

TIRANË, 20 janar /ATSH/ Plani Kombëtar i Pastrimit gjatë vitit që lamë pas, ka shënuar rezultate pozitive në pastrimin e territorit.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot në rrjetet sociale të dhëna nga viti 2022 mbi aksionin e pastrimit të territorit, i cili nisi në nëntor 2021. Kumbaro informoi se, gjatë vitit 2022 falë këtij aksioni u pastruan mbi 126 mijë tonë mbetje.

Ajo gjithashtu bëri të ditur se, janë 500 milionë lekë grant dedikuar menaxhimit të integruar të mbetjeve dhe mbi 10 milionë euro të buxhetuara më shumë nga bashkitë.

Kumbaro në postimin e saj në rrjetet sociale u shpreh se, “Plani i Pastrimit Kombëtar nuk ishte as fushatë dhe as aksion i përkohshëm. Ishte dhe vijon të jetë punë e përditshme që nuk do të ndalet siç nuk ndalet jeta brenda shtëpive tona ku pastrojmë përditë”.

Plani i Pastrimit Kombëtar ka qenë një ndër angazhimet kryesore të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit me qëllim menaxhimin e integruar të mbetjeve, së bashku me miratimin e ligjit për ndalimin e qeseve plastike njëpërdorimshme, mbështetjen e katër bashkive bregdetare me dyfishim të forcave të pastrimit përgjatë sezonit si edhe rehabilitimin e shumë vend depozitimeve në territor që ishin shndërruar në gangrena mjedisore si në rastet e Skraparit, Gjirokastrës, Burrelit, Këlcyrës, Beratit, Devollit etj.

/gj.m/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakQSUT: Procedurat e hemodinamikës vijojnë normalisht
Artikulli tjetërBegaj: Forcat politike të mos e shohin njëra-tjetrën si armike