Ballina Flash

Rama: Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme në QSUT, së shpejti do të hapë dyert

TIRANË, 16 janar /ATSH/ Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme në QSUT, është një tjetër investim madhor në shëndetësi, i cili do të ofrojë kushte moderne për pacientët dhe për stafin mjekësor.

 

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga punimet që po kryhen në këtë spital ku thekson se, së shpejti do të hapë dyert si një vlerë e madhe e shtuar në rrugën e Rilindjes së Shëndetësisë.

Rama informon se, spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme në QSUT është një investim madhor i projektuar e realizuar duke siguruar standardet më të larta europiane në çdo aspekt.

Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme do të ofrojë shërbimin e mjekësisë interne, shërbimin e reumatologjisë, alergologjisë, dermatologjisë dhe fizioterapisë që aktualisht ndodhen në godina të tjera të QSUT, dhe së bashku me shërbimet ekzistuese, ato të gastrohepatologjisë, hematologjisë, endokrinologjisë, nefrologjisë, dializës, njësisë së kardiologjisë, hemodinamikës dhe reanimacionit të kardiologjisë do të kompletojnë profilin e një spitali të mirëfilltë të sëmundjeve të brendshme.

Spitali i ri do të ketë edhe një spital ditor me 60 shtretër, për rritjen e eficiencës së shërbimeve.

Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme do të ketë 9 salla leksioni për studentët e mjekësisë, ku do të zhvillohen praktikat mjekësore, si dhe edukimi në vazhdim.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOKUS – Zelensky dënon heshtjen frikacake të popullit rus, pas masakrës së Dnipros me 35 viktima
Artikulli tjetër“Ati i kombit” Ismail Qemali, udhëheqës i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare