Ballina Aktualitet

Metani: Sot, ILD punon duke vendosur standarde

TIRANË, 2 janar /ATSH/ Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani gjatë një interviste në Euronews Albania ka bërë bilancin e punës së vitit 2022 dhe ka analizuar sfidat dhe ambicjet e institucionit që drejton për vitin 2023.

Metani tha se nëse në fillimet e veta, flitej për mungesa njerëzore e infrastrukturore, gati 3 vite më vonë e gjatë vitit që u mbyll, ILD krenohet se ka rezultate dhe flet për vendosje standardesh në sistem, si për punën e gjyqtarëve, ashtu edhe atë të prokurorëve.

I pyetur lidhur me ecurinë e trajtimit të ankesave, sidomos atyre të mbartura, Metani tha se, synimi i ILD-së është që fondi i trashëguar prej 2104 ankesash të përfundojë së trajtuari në muajt e parë të vitit 2023, pasi po punohet me ritëm të lartë, duke u përpjekur për të mos lënë pas dore edhe ankesat e mbërritura direkt në ILD.

“Megjithë rritjen e numrit të inspektorëve, nga 8 në 12, burimet e inspektimit nuk janë të mjaftueshme për trajtimin në kohë të fluksit të ankesave dhe kjo sjell me të drejtë pakënaqësi nga ankuesit, por është një situatë që ILD e ka bërë prezent, e po përpiqet të bëjë më të mirën e vet, në mënyrë që asnjë ankesë ndaj një gjyqtari apo prokurori të mbetet pa u trajtuar”, tha Inspektori i Lartë i Drejtësisë, duke kërkuar mirëkuptim nga qytetarët ankues.

“Numri i ankesave në total përveç atyre të mbartura, sot që flasim është mbi 5000 ankesa. Unë e kuptoj padyshim, që Inspektori i Lartë i Drejtësisë, i ka kaluar afatet që parashikon ligji për trajtimin e ankesave, sidomos për pjesën e të mbarturave sepse po flasim për ankesat që vijnë nga viti 2017, por për të mos ia lënë koincidencës trajtimin e ankesave është miratuar një medotologji, që trajton prioritizimin e trajtimit të ankesave. Që do të thotë, prioritet i janë dhënë ankesave të vjetra, e padyshim ankesave që vijnë tani, duhet të presin kohën e tyre, deri sa të trajtohen ankesat që kanë qenë më parë në këtë institucion, sepse e tillë është radha logjike e punës”, shtoi Metani.

I pyetur nëse numri në rritje i procedimeve ndaj magjistratëve të inicuara nga ILD, ka sjellë përmirësime në sistem, Metani tha se, në punën e vet institucioni gjithmonë ka parasysh gjetjen e balancës mes pavarësisë së magjistratëve dhe interesit legjitim të publikut për mënyrën sesi administrohet drejtësia. Pavarësia e magjistratëve është garanci për vetë qytetarët së pari.

“Pavarësia e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk është, doja ta theksoja këtë, nuk është një mburojë, që ne e përdorim për të mbrojtur punët e pista të gjyqtarëve dhe prokurorëve apo më keq të mbrojmë paaftësinë tonë nëse ka. Pavarësia e gjyqtarëve dhe prokurorëve është një garanci, që është më shumë për qytetarët”, tha ai.

I pyetur se si i shikon deklaratat publike, edhe nga kreu i SPAK për presione e  shantazhe ndaj aktorëve të sistemit të drejtësisë, Metani tha se, në këndvështrimin e tij sistemi gjyqësor nuk mund të ketë sukses, nëse nuk mbështetet, nëse nuk i krijohet mjedis demokratik, pasi nuk mund të ketë demokraci pa pavarësi të pushtetit gjyqësor dhe nuk mund të ketë pavarësi të sistemit gjyqësor, në qoftë se nuk ka demokraci.

“Ka 5 vite që janë krijuar institucionet e reja të sistemit të drejtësisë dhe po prodhojnë sipas mendimit tim disa rezultate dhe ne duhet ta ushqejmë këtë punë, sepse tek e fundit prandaj e ngritëm këtë sistem të ri, nëse ne çdo ditë dalim dhe kritikojmë, edhe kur themi kritikojmë tej kufijve kushtetues të kritikës, atëherë cili është mesazhi dhe imazhi që japim për këto institucione të reja të drejtësisë, edhe si duam ne të funksionojnë duke i sharë tërë kohës, duke intimiduar gjithë kohën,  padyshim që nuk funksionon kështu, padyshim që nuk mund të ketë sukses kështu. Kjo shkon jo thjesht për pjesën politike, por edhe për pjesën mediatike edhe për pjesën shoqërore, sepse sistemi gjyqësor i përket gjithë shoqërisë, dhe i përket gjithë shoqërisë sot dhe në të ardhmen. Debati duhet bërë në mënyrë të kujdesshme, jo për ruajtjen apo krijimin e disa zgjidhjeve sot, për situata që ne na përplasin me sisteminin gjyqësor. Ne duhet të mendojmë që çdo zgjidhje, çdo kritikë apo çdo propozim që japim për punën e sistemit gjyqësor, duhet ta mendojmë për vitet që vijnë, duhet ta mendojmë si strategji afatgjatë, duhet ta mendojmë në mënyrë parimore. Vetëm kështu do të kemi sukses me reformën dhe sistemin gjyqësor që prodhon drejtësi. Nëse ne mundohemi të zgjidhim situatat e sotme me një zgjidhje të sotme, pa e parë me synim afatgjatë një rast, atëherë ne nuk kemi bërë asgjë, vetëm zgjasim agoninë e zhvillimit tonë”, tha Metani. /j.p/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBRAZIL – Lula i kthehet presidencës në mandatin e tretë historik
Artikulli tjetërMargariti: 2022-i me 3 nisma të reja të suksesshme kulturore