TIRANË, 29 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku zhvilloi sot një takim me përfaqësues të prodhuesve të energjisë elektrike, bizneseve të lidhura në tensionin e mesëm dhe atyre në tregun e lirë.
Duke folur mbi koncesionet, Balluku theksoi se afati maksimal i një koncesioni është 35 vite.
“Çfarë do të ndodhë me koncesionet kur atyre t’u vijë koha e përfundimit të kontratave? Në Republikën e Shqipërisë ka një ligj koncesionesh që përfshin çdo lloj koncesioni, si atë të shëndetësisë, infrastrukturës rrugore, portuale dhe të energjisë. Afati maksimal i një koncesioni është 35 vite. Ajo që ju keni propozuar që koncesionet të shkojnë 99 vite mua më kujtojnë vetëm amfiteozën, asnjë gjë tjetër”, tha Balluku.
Ajo theksoi se nuk ka ndonjë referencë në Republikën e Shqipërisë për koncesione 99 vite dhe qeveria nuk është e gatshme ta bëjë këtë.
“Ju po kërkoni të ndryshojë ligji dhe kjo është diçka për të cilën duhet të bien dakord të gjithë aktorët që preken nga koncesioni. Që të ndryshojë ligji për energjetikën duhet të ndryshojë ligji për koncesionet, gjë që nuk jemi të gatshëm për ta bërë, pasi ka një studim të mirëfilltë pse janë 35 vite koncesionet dhe nuk është bërë nga ne, por është bërë nga partnerët ndërkombëtarë në vitin kur ligji është miratuar”, tha Balluku.
Por, sipas saj, “ka instrumente të tjerë shumë të rëndësishëm që mund të aktivizohen”.
“Kam kërkuar ngritjen e një grupi të përbashkët, dua të keni përfaqësues që të japin inputet e tyre se si mundet t’i japim mundësi investitorëve ekzistues në përfundim të periudhës së koncesioneve që të njihet kontribut përmes një procesi privatizimi apo të hapjes së garës së një koncesioni të ri ku investitorit fillestar t’i jepet prioritet”, tha ajo.
Balluku theksoi se ka shumë instrumente ligjore që do të ndihmonin investitorët dhe do t’i nxisnin ata që të vazhdonin të investonin.
“Një gjë që ne na shqetëson shumë është se çfarë do të ndodhë me periudhën e përfundimit të koncesionit. Ne nuk duam që ato koncesione të liheshin pa asnjë lloj mirëmbajtje e investimi dhe të dorëzohen si kufoma ambulante që nuk i bëjnë më punë askujt. Jemi ne të interesuar që të gjemë instrumente nxitëse për investitorin fillestar që ai të vazhdojë dhe të mirëmbajë veprën. Kjo vepër mund të privatizohet apo të dali në garë të hapur ku investitori të ketë prioritet. Të gjitha letrat janë të hapura në tavolinë për sa kohë ne qëndrojmë në kuadrin ligjor dhe gjejmë gjuhën dhe zgjidhjen e përbashkët, ku shteti nuk humbet, nuk krijohen dëme financiare, nuk shkelet ligji dhe ku investitori gjen mundësi të vazhdojë të investojë në Republikën e Shqipërisë”, tha ajo.























