TIRANË, 21 dhjetor/ATSH/ Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi tha sot në Kuvend se projektligji për “Policinë Bashkiake” mundëson një reformim të Policisë Bashkiake si një trupë moderne shërbimi për komunitetin.
Ai theksoi se me këtë projektligj ngremë një arkitekturë të re organizative dhe funksionale me një polici bashkiake të reformuar si një organ ekzekutiv në nivel vendor në shërbim të sigurisë së rendit dhe qetësisë publike.
Në fjalën e tij ministri Çuçi tha se “janë vënë re mangësi që kanë ardhur si produkt i kohës dhe që duhen të adresohen më mirë. Ne qartësojmë dhe forcojmë kompetencat e këtij shërbimi e jo force siç konsiderohej me parë dhe bashkëveprimin e saj me Policinë e Shtetit dhe institucionet e tjera ligjzbatuese”.
“Ky ligj aplikon kërkesa dhe standarde shumë herë më të larta për Policinë Bashkiake kur është fjala për shërbimin ndaj komunitetit”, tha Çuçi.
Duke folur për risitë e këtij ligji Çuçi tha se “ky ligj sjell rishikimin tërësor të kompetencave të Policisë Bashkiake duke i harmonizuar me legjislacionin sektorial të ndryshuar gjithë këto vite. Në 25 vite sepse ligji që ka qenë në fuqi daton që prej 1997. Konkretisht bëhet fjalë për ridimensionimin e kompetencave në fushën e rendit dhe sigurisë, qarkullimit rrugor, mbrojtjes së mjedisit, ruajtjes së hapësirave publike, etj”.
“Do të bëhet rekrutimi i kandidatëve që nga shpallja dhe vazhdimi në komisionin përzgjedhës, verifikimet e kryerjet e testeve me shkrim, intervistat dhe të drejtën e ankimimit deri në publikimin e listës përfundimtare të aplikantëve. E gjithë kjo procedurë ka qenë e munguar deri më sot”.
Ministri Çuçi ftoi deputetët ta votojnë projektligjin për “Policinë Bashkiake”.
/k.s/























