TIRANË, 9 dhjetor/ATSH – I. Vata/ Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja u takua me Zëvendësndihmësprokurorin e Përgjithshëm dhe Këshilltar për Çështjet Ndërkombëtare në Departamentin e Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara, Bruce C. Swartz.
Manja thekson se më takim diskutuan gjerësisht mbi rrugëtimin tejet premtues të reformës në drejtësi në Shqipëri, si dhe sfidat që mbeten ende përpara në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Swartz dhe kolegët e Departamentit të Drejtësisë shprehën vlerësime maksimale për partneritetin e shkëlqyer midis dy vendeve në drejtim të efektivitetit të bashkëpunimit gjyqësor ndërkombëtar në luftën ndaj krimit.
“Ky bashkëpunim do të ngrihet në të tjera nivele në sajë të marrëveshjes së re të ekstradimit midis ShBA dhe Republikës së Shqipërisë ratifikuar në Kuvendin e Shqipërisë në maj 2021, e cila pritet të ratifikohet në Senatin e ShBA. Falenderova shumë përzemërsisht Swartz për kontributin profesional dhe të pandërprerë të asistencës teknike të OPDAT për vendosjen dhe konsolidimin e themeleve të drejtësisë së re në Shqipëri, si dhe u angazhuam bashkërisht për të kanalizuar impaktin e kësaj asistence në rritjen e eficiencës së drejtësisë shqiptare”, shprehet Manja.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ndodhet në SHBA për të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Antikorrupsionin që mbahet në Uashington DC, me temë “Çrrënjosja e korrupsionit dhe mbrojtja e vlerave demokratike”.
Themeluar në vitin 1983, IACC zhvillohet çdo dy vjet dhe pret deri në 2000 pjesëmarrës nga mbi 140 vende të botës, duke bashkuar në këtë forum ndërkombëtar aktorë të rëndësishëm të sektorit publik, privat, dhe shoqërisë civile.
Kjo konferencë synon nxitjen e debatit, promovimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimeve në nivel ndërkombëtar për t’iu përgjigjur sfidave gjithnjë e më të sofistikuara të luftës kundër korrupsionit.
/r.e/























