TIRANË, 2 dhjetor /ATSH/ Në kuadër të takimeve dhe kumtesave të 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në ditën e sotme prof. dr. Kaliopi Naska ka folur mbi Statusin e Zgjeruar të Lushnjës, 100 vjet nga ky akt.
Ky takim i organizuar nga Instituti Parlamentar pati të pranishëm pedagogë dhe studentë të Fakultetit të Shkencave Shoqërore të Albanian University. Nga deputetët përshëndeti, Pranvera Resulaj, anëtare këshillit Drejtues të Institutit Parlamentar.
Në kumtesë, prof. dr. Kaliopi Naska theksoi çastet më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar nga Kuvendi i Vlorës tek Kongresi i Lushnjës, i cili ka meritën sepse vuri themelet ligjore të shtetit shqiptar.
Arritja më madhore e tij pas Bazave të Kanunanores ishte miratimi i “Zgjanimit të Statusit të Lushnjës” në 8 dhjetor të 1922. Ishte një kushtetutë moderne dhe e përparuar për kohën, e cila përbën krenarinë konstitucionale shqiptare për shekullin e 20-të, e denjë për tu cilësuar si paraardhëse e kushtetutës sonë aktuale.
Lidra Bushati, drejtore e Shërbimit të Bibliotekës dhe Botimeve Parlamentare vlerësoi bashkëpunimin me universitetet dhe kontributin e znj. Naska në studimin dhe përçimin e vlerave të historisë dhe parlamentarizmit shqiptar.
Ky aktivitet përmbylli ciklin e kumtesave të organizuara nga Instituti Parlamentar në kuadër të 110-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.
/r.e/























