TIRANË, 23 nëntor/ATSH – I. Vata/ Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka zhvilluar sot një takim me ambasadoren e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim.
Në një postim në rrjetet sociale, Manja bëri të ditur se takimi me ambasadoren Yuri Kim u zhvillua në kuadër të konferencës ndërkombëtare kundër korrupsionit që do mbahet në Washington D.C. në datat 5-10 dhjetor, si prioritet madhor, strategjik i SHBA-Shqipëri.
Po ashtu, Manja theksoi se me ambasadoren Kim diskutuan dhe pritshmëritë e Reformës në Drejtësi.
“Diskutuam dhe ndamë qëndrimet e përbashkëta mbi ecurinë, rezultatet dhe pritshmëritë e reformës në drejtësi si elemente thelbësore për të garantuar besimin e publikut tek drejtësia e re”, shkroi Manja.
Nga ana e saj, Ambasada e SHBA-së në Tiramë njoftoi se ambasadorja Yuri Kim u takua me ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja për të shqyrtuar progresin në zbatimin e reformës në drejtësi dhe rëndësinë e saj për aspiratat e Shqipërisë në BE.
Ambasadorja përsëri theksoi se Presidenti Biden në qershor 2021 identifikoi luftën kundër korrupsionit si një interes thelbësor i sigurisë kombëtare, sepse kërcënon sigurinë, barazinë ekonomike, zhvillimin dhe demokracinë.
“Takimi i paraprin pjesëmarrjes së ministrit Manja në Konferencën e 20-të Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit (IACC) në Uashington, DC, 6-10 dhjetor”, thuhet në njoftimin e Ambasadës amerikane në Twitter.
/j.p/r.e/













