TIRANË, 23 nëntor/ATSH – I. Vata/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në bashkëpunim me Institutin Demokratik Amerikan (NDI) organizoi sot tryezë konsultimi mbi financimin e partive politike.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi në fjalën e tij, tha se “vazhdojmë të kemi dyshime në lidhje me komponentë të aspektit rregullator të financimit të partive politike, të sjelljes së medieve apo të sjelljes së institucioneve”.
“Jo të gjithë dhe jo njësoj e kemi të qartë në lidhje me atë se kush do të financojë kë, sa është vlera e financimit, çfarë lejohet në kuptim të sasisë dhe llojit të financimit apo të mbështetjes apo materialeve të partive politike. Akoma nuk kemi një qartësi në lidhje me limitet dhe kufijtë që media ka në lidhje me raportimin dhe pasqyrimin e veprimtarive elektorale apo të subjekteve politike zgjedhore në tërësi; si ndërtohet raporti financiar ndërmjet medias dhe subjekteve zgjedhore; si pasqyrohet kjo marrëdhënie dhe çfarë pasojash ka qoftë për partitë politike, qoftë dhe për mediet, në rast se këto aspekte rregullatore nuk respektohen”, tha ai.
Nga ana e saj, drejtuesja e sektorit financiar në KQZ, Valbona Ballgjini ka ngritur një problematikë me të cilën haset KQZ për partitë politike, pasi më shumë se 50% e tyre nuk kanë adresa të sakta dhe nuk dorëzojnë pasqyra financiare.
Ajo tha se partitë politike kanë detyrimin të krijojnë një regjistër të posaçëm, modeli i të cilit miratohet nga KQZ, duke regjistruar të gjitha shumat e fondet të përfituara nga çdo person fizik apo juridik, si të dhënat me identifikim të qartë të dhuruesit.
“Partitë politike kanë detyrimin të nënshkruajnë deklaratë e dhurimit me të gjithë dhuruesit dhe modelet janë të miratuara nga KQZ dhe të bëjnë prezent të gjithë dhuruesit. Kandidatët kanë detyrimin nëse pranojnë marrjen e dhurimeve duhet të kenë një llogari të posaçme dhe deklarohen në KQZ. Një ndryshim tjetër që pësoi Kodi Zgjedhor ka ulur shumën e shpenzimeve të një subjekti zgjedhor apo kandidati. Nga 10 herë jo më shumë se tre herë sesa shuma e subjektit zgjedhor që përfiton nga buxheti zgjedhor. Një subjekt zgjedhor nuk mund të shpenzojë më shumë se trefishin e vlerës më të lartë që ka përfituar subjekti për fushatën zgjedhor nga buxheti i shtetit. Po ashtu, KQZ ka rregulluar edhe financimin e kandidatit të pavarur”, tha ajo
Po ashtu Ballgjini tha se të gjitha subjekte zgjedhore kanë detyrimin që brenda 60 ditëve nga dalja e rezultatit përfundimtar duhet të dorëzojnë pasqyrat e tyre financiare, përfshirë dhe të ardhurat e shpenzimet e çdo kandidati.
Një tjetër ndryshim në Kodin Zgjedhor është dhe portali i denoncimeve ku mund të denoncohet për financimin e partive politike.
“Për sa i përket monitorimit të fushatave zgjedhore bëhet nga monitorues të përzgjedhur nga KQZ. Ata monitorojnë partitë politike dhe sjelljen e administratës lidhur me fushatat zgjedhore 4 muaj përpara”, tha ajo.
/j.p/r.e/






















