Ballina Aktualitet

Berisha: PD 23 amendamente për buxhetin, rritje e pagave me 25%

TIRANË, 23 nëntor/ATSH – I. Vata/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar deklaroi se PD ka përgatitur 23 amendamente, ka thirrur në interpelancë dhe Kryeministrin Edi Rama për buxhetin e shtetit.

Berisha theksoi se në amendamente kërkohet 25% rritje e rrogave dhe pensioneve si dhe ulja e TVSH në 6 %.

“Amendamentet e paraqitura përbëjnë natyrisht një përmbysje reale të planifikimit dhe shpërndarjes së buxhetit, nga një buxhet për t’u vjedhur, në një buxhet në shërbim të qytetarëve, nevojave të tyre, rrogave dhe pensioneve të tyre, më të ulëtat në rajon, dhe që me këtë buxhet bëhen edhe më të ulëta siç e paraqitën ata. Në buxhet, në amendamentet e përgatitura, janë përparësuar, pas rrogave dhe pensioneve, ku kërkohet një rritje 25% e rrogave dhe pensioneve, një rritje shumë e ndjeshme e tyre, janë përparësuar buxheti për arsimin, i cili përsëri është diskriminuar, është përparësuar buxheti për shëndetësinë, janë përparësuar lëvizje dhe masa fiskale në favor të qytetarëve për të ulur përballimin e çmimeve të tmerrshme që ka sot. Do kërkohet ulja e TVSH në 6 % për energjinë dhe ushqimet, barazimi i TVSH-së për produktet bujqësore, heqja e akcizës së gazit, limiti i arkës, rimbursimi i të gjitha dëmeve të Covid-it për bizneset”, tha ai.

Duke folur për situatën e reshjeve, Berisha bëri përgjegjëse qeverinë për hapjen e portave të hidrocentralit të Vaut të Dejës.

“Akti i tyre është kriminal dhe i papërgjegjshëm, sepse ligji i detyron që në çdo vendim që marrin për hapjen e portave, duhet të njoftojë autoritetet vendore. Dhe autoritetet vendore marrin masa që të njoftojnë popullatën. Kjo nuk ka ndodhur. Kanë hapur dy tunelet e Komanit, portat e Komanit dhe të gjitha tunelet, portat e Vaut të Dejës. Kaq i madh, kaq i fuqishëm ka qenë vërshimi, saqë ka ngritur me themel urën e Bahçallëkut. Ka marrë bazamentin e urës. Gjysma e urës është zhdukur. Nuk kishin parë ndonjëherë banorët, dhe njeriu që i përmbyti ata ka dy ditë që i gënjen në mënyrë të turpshme. Në vend që të kërkojë ndjesë dhe të shkarkojë të gjithë zinxhirin përgjegjës për përmbytjet, Rama bën gjithçka që të mos dëmshpërblejë, por ne do i çojmë përpara ligjit”, tha Berisha.

Duke folur për Portin i Durrësit, Berisha tha se rrezikohet një gjobë 200-300 milionë euro.

“Kompania gjermane EMS Shipping and Trading, e referuar si EMS, i është drejtuar me një letër parlamentit shqiptar. Kompania ka një kontratë 35-vjeçare për kalatën lindore të portit të Durrësit. Ka një detyrim investimi vetë prej mbi 15 milionë euro. Kompania thotë se gjuha e relacionit, edhe pse e paqartë, nuk është në dijeni të një afati kohor brenda të cilit qeveria shqiptare është në gjendje të ndërtojë një port të ri. Sipas kontratës, EMS thotë se ruan të drejtën që të marrë masa ligjore për përfundim të parakohshëm të kësaj kontrate, që mund t’u kushtojë shqiptarëve 200-300 milionë euro pa asnjë hezitim. Shqiptarët do paguajnë haraçin, përveç 2 miliardë për portin e ri, do paguajnë edhe gjobat e tmerrshme”, tha ai.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakManja-Kim: Lufta kundër korrupsionit, prioritet strategjik
Artikulli tjetërPD: Shpenzimet e planifikuara në buxhetin për bujqësinë, s’janë investime