Ballina Bota

GAZA – 21 viktima pas zjarrit në një kamp refugjatësh

GAZA, 18 nëntor /ATSH-AA/ – Të paktën 21 persona kanë humbur jetën nga një zjarr që ka shpërthyer në një ndërtesë në kampin e refugjatëve ”Jabaliya” në veri të Gazës, njoftuan autoritetet palestineze.

Ndërsa Ministria Shëndetësisë në Gaza publikoi një deklaratë në të cilën njoftoi për shpërthimin e zjarrit, Mbrojtja Civile tha se kanë gjetur trupat e pajetë të 21 personave, në mesin e të cilëve gjenden edhe gra dhe fëmijë.

Njoftohet se ekipet e mbrojtjes civile kanë vënë nën kontroll zjarrin dhe kanë penguar përhapjen e tij në objekte të tjera.

Sipas vlerësimeve të para, zjarri është shkaktuar nga benzina e depozituar në pallat dhe hetimet për ngjarjen po vijojnë.

Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë e Palestinës tha se ministrja Mai Al-Kaila ka dhënë udhëzime që të plagosurit, nëse është e nevojshme, të transferohen në spitalet e Bregut Perëndimor.

Ndërkohë, presidenti Mahmoud Abbas shpalli të premten ditë zie kombëtare pas katastrofës, sipas një deklarate me shkrim nga zëdhënësi i presidentit palestinez Nabil Abu Rudeineh.

Në deklaratë thuhet se Abbas e ka përshkruar incidentin si “katastrofë kombëtare” dhe ka udhëzuar autoritetet përkatëse që të ofrojnë të gjitha llojet e mundësive për familjet e viktimave./ /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKuvendi miraton Aktin Normativ për marrjen e masave për kursimin e energjisë
Artikulli tjetërEkonomi në Forumin Global mbi Demokracinë: Shqipëria në rrugë pa kthim në transformimin digjital