Ballina Flash

Çuçi: 52% përafrim me ligjet e BE-së për kapitullin e rendit dhe sigurisë

TIRANË, 17 nëntor /ATSH/ Duke folur në Kuvend për progresraportin e BE-së, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi tha se, ky diskutim tashmë bëhet në një kontekst të ri, pasi vendi ynë ka një raport tjetër me Bashkimin Evropian pas hapjes së negociatave.

Duke iu referuar kapitullit 24, që merret me çështje të rendit dhe sigurisë, Çuçi theksoi se deri më tani kemi rreth 52% përafrim me acquis të BE-së.

Ai solli në vëmendje takimin bilateral në Bruksel para disa ditësh, ku Shqipëria mori vlerësime inkurajuese për punën e bërë. Ministri i Brendshëm solli në vëmendje disa nga arritjet në fushën e sigurisë.

“Për t’u ndalur shkurtimisht në disa aspekte që i përmend dhe vetë raporti i progresit, dua t’ju them dhe t’ju lidh me faktet që kemi sot në tavolinë, vis-a-vis, të gjithë vëzhgimeve dhe të gjithë rekomandimeve që vijnë nga BE. Pa diskutim, lufta kundër krimit të organizuar është nga më të rëndësishmet, dhe një nga problemet madhore për qeverinë shqiptare, ku jemi të angazhuar, fillimisht në drejtim të ndryshimeve legjislative dhe organizative ambicioze, duke arritur rezultate shumë domethënëse në këtë drejtim”, theksoi ai.

“Mjafton të shohim historikun, atë që quhet track-record, për të parë se ka një rritje të ndjeshme, si në raport me referimet pranë prokurorisë, për grupe të strukturuara kriminale, por edhe në rritjen e dënimeve të formës së prerë. Dhe këtu të ndalemi te faktet; në 2021, janë dërguar 41 raste të reja në prokurori, 14 aktakuza për një grup të strukturuar kriminal, kundrejt, shumë më pak seç ishte dy vite më parë, dhe 19 raste janë mbyllur me 75 persona me dënime të formës së prerë në nivel Apeli”, u shpreh ministri.

“J’ua them këto fakte, sepse kjo është gjuha që ne flasim sot me partnerët tanë të BE. Sepse kjo është mënyra se si ne do të negociojmë me institucionet e BE”, shtoi Çuçi.

Por, vijoi ai, “edhe për krimet e rënda, një fakt tjetër, vetëm në 2021, janë referuar 3913 raste të reja në prokurori; po të krahasuar me 2838 të 2020-ës. Kjo rritje vjen më së shumti si pasojë e rritjes së referimeve të rasteve të trafikut të drogës; 3078 referime janë vetëm për trafikun e drogës”.

“Vlen për t’u përmendur se strukturat e Policisë së Shtetit, kanë rritur nivelin e përdorimit të teknikave speciale të hetimit, dhe këto janë fjalë që vijnë nga institucionet e BE. Dhe janë rritur hetimet proaktive duke u rreshtuar gjithashtu krah partnerëve evropianë, si të ishim një vend anëtar, në dhjetëra skuadra të përbashkëta hetimore apo operacionale aktive për momentin”, nënvizoi Çuçi.

“Me shumë objektivitet ka vënë re grupi negociator që ka vënë në dispozicion BE, kur thotë që Shqipëria ka bërë hapa edhe në luftën për sigurinë kibernetike, duke marrë parasysh edhe sulmin e fundit. Dhe bashkërisht kemi vlerësuar edhe planin e veprimit, të fundit, për deri në vitin 2025, dhe vetë raportprogresi i referohet në fakt periudhës përpara sulmeve kibernetike, dhe në diskutimet që kemi bërë javës që kaloi, pra që është pas sulmeve kibernetike, është vënë re pozitivisht ky progres”, tha Çuçi.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakITALI – Mbi 600 raste abuzimi në Kishën Katolike
Artikulli tjetërSmith takon kreun e Policisë së Shtetit: Zgjerim i partneritetit