TIRANË, 10 nëntor /ATSH/ Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta priti sot në një takim Misionin e Vlerësimit të Nevojave nga OSBE/ODIHR-i, në lidhje me zgjedhjet vendore të 14 majit 2023.
Meta u shpreh se, Partia e Lirisë ka kërkuar me ngulm, që Komisioni Parlamentar për Reformën Zgjedhore të adresojë me prioritet rekomandimet e OSBE/ODIHR për të përmirësuar të gjitha problemet madhore që u panë në zgjedhjet e 25 prillit.
Ndaj, shtoi Meta, “ne e dënojmë zvarritjen e qëllimshme që mazhoranca i bën punës së Komisionit dhe të trajtimit të problemeve periferike që nuk i japin përgjigje problemeve kritike të zgjedhjeve, duke goditur besimin e qytetarëve tek standardet e zgjedhjeve”.
Meta u shpreh se u ritheksoi përfaqësuesve të ODIHR “nevojën alarmante për të forcuar zbatimin e ligjit për një klimë zgjedhore të qetë, pa ndikimin e krimit dhe administratës publike në zgjedhje, në mënyrë që të kemi një pjesëmarrje sa më të lartë dhe rezultat të gjithëpranuar”.
“Partia e Lirisë mbetet në çdo kohë e angazhuar për dialog politik dhe ekspertizë teknike të nivelit të lartë, në mënyrë që qytetarëve t’u ofrohen standardet më të larta të zgjedhjeve dhe çdo shqiptar të votojë i lirë, siç i takon një populli evropian”, theksoi Meta në një postim në rrjetet sociale.
/j.p/r.e/






















