TIRANË, 9 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama informoi sot se efekti i rritjes së pagave në administratën publike është 3.3 miliardë lekë.
Gjatë debatit në Kuvend për projektbuxhetin 2023, Rama tha se kjo shifër i takon konsolidimit të asaj rritjeje që qeveria miratoi në shtatorin e këtij viti.
Ashtu sikundër, Rama informoi se do të vazhdojë edhe rritja e pagave me 6% për punonjësit e arsimit, shëndetësisë dhe për zjarrfikësit. “Po ashtu do të kemi edhe një rritje tjetër për ushtarakët”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se qeveria do të vazhdojë të mbështesë familjet, duke rritur nivelin e pagave që nuk tatohen në 50 mijë lekë.
“Janë 70 mijë punonjës të tjerë me një efekt në buxhet prej 1.2 miliardë lekë që nuk do të paguajnë më taksë mbi pagën. 1.2 miliardë lekë shkojnë në shtëpitë e tyre”, tha Rama.
/j.p/r.e/























